75 Mall Live Search
21:48 / E Enjte, 16 Tetor 2025 / Gj Sh

Tifozëve të Maccabi Tel Avivit u ndalohet hyrja në stadiumin e Aston Villës për ndeshjen e Ligës së Evropës

Asnjë mbështetës i klubit izraelit Maccabi Tel Aviv nuk do të lejohet ta ndjekë nga stadiumi ndeshjen kundër Aston Villës në Ligën e Evropës muajin e ardhshëm në Angli, për shkak të shqetësimeve rreth sigurisë, njoftoi klubi anglez të enjten.

Ky vendim vjen pas protestave kundër ndeshjeve kualifikuese të kombëtares së Izraelit për Kupën e Botës kundër Norvegjisë dhe Italisë, ku policia përdori gaz lotsjellës ndaj protestuesve dhe demonstruesve propalestinezë në Oslo dhe Udine.

Aston Villa tha se e mori këtë vendim pas udhëzimeve të Grupit Këshillues për Sigurinë (SAG), i cili është përgjegjës për lëshimin e certifikatave të sigurisë për ndeshjet në stadiumin Villa Park, bazuar në disa faktorë të sigurisë dhe fizikë.

“Pas një takimi këtë pasdite, SAG u ka shkruar zyrtarisht klubit dhe UEFA-s për t’i këshilluar se asnjë tifoz [i skuadrës] vizitore nuk do të lejohet të hyjë në Villa Park për këtë ndeshje”, tha Villa në një deklaratë.

“Policia e ka këshilluar SAG-un se ka shqetësime për sigurinë publike jashtë stadiumit dhe aftësinë për të menaxhuar çdo protestë të mundshme gjatë natës”, tha ajo.

UEFA: Përgjegjësia u mbetet autoriteteve lokale

Organi qeverisës i futbollit evropian, UEFA, tha se dëshiron që tifozët të mund të udhëtojnë dhe të mbështesin ekipin e tyre në një “mjedis të sigurt, të mbrojtur dhe mikpritës”.

“Ne inkurajojmë të dyja skuadrat dhe autoritetet kompetente të bien dakord mbi zbatimin e masave të përshtatshme që janë të nevojshme për ta lejuar këtë”, tha UEFA.

“Në të gjitha rastet, autoritetet lokale kompetente mbeten përgjegjëse për vendimet që lidhen me sigurinë e ndeshjeve që zhvillohen në territorin e tyre, vendime këto që bazohen në vlerësime të detajuara të rrezikut, të cilat ndryshojnë nga ndeshja në ndeshje dhe marrin parasysh rrethanat e mëparshme”, tha ajo.

Villa renditet e treta në tabelën e Ligës së Evropës, ndërsa Maccabi Tel Aviv është i 30-ti pas dy rundeve.

Izraeli e quan “të turpshëm” vendimin e Villës

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar, e përshkroi njoftimin e Villës si “vendim të turpshëm”.

“U bëj thirrje autoriteteve të Mbretërisë së Bashkuar ta tërheqin këtë vendim frikacak”, shkroi Saar në X.

Organi qeverisës i futbollit botëror, FIFA, është përballur me thirrje të përsëritura për të vepruar në lidhje me luftën në Gazë. Zyrtarë palestinezë kanë kërkuar pezullimin e Izraelit nga futbolli ndërkombëtar.

Kjo çështje është duke u shqyrtuar nga FIFA tash e disa muaj, por ende nuk është marrë ndonjë vendim.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, vazhdimisht ka thënë se çështjet e tilla kërkojnë konsensus me konfederatat dhe duhet të trajtohen me kujdes.

Më herët këtë muaj, zëvendëspresidenti i FIFA-s, Victor Montagliani, tha se pjesëmarrja e vazhdueshme e Izraelit në futbollin ndërkombëtar duhet të trajtohet fillimisht nga UEFA.

UEFA duket se ishte gati për një votim emergjent mbi pezullimin e Izraelit nga garat evropiane muajin e kaluar, por thuhet se e shtyu votimin pasi u bë i ditur plani i presidentit amerikan, Donald Trump, për përfundimin e luftës në rajon.