75 Mall Live Search
10:25 / E Martë, 23 Shtator 2025 / AR

Tik-Tok-u, kartë e re në marrëdhëniet e tensionuara SHBA-Kinë

Kina po ndryshon qëndrim për shitjen e Tik-Tok-ut, platformës së njohur të ndarjes së videove, ndërsa marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë tensionuar më shumë kohët e fundit.

Për vite me radhë, Kina kundërshtoi fuqishëm kërkesat e SHBA-së për të detyruar pronarin kinez të Tik-Tok-un, ByteDance, të shes operacionet e tij në SHBA. Madje e quajti këtë si “logjikë grabitqare” nga ana e amerikanëve.

Por tani, Pekini duket i hapur për negociata lidhur me mënyrën se si ByteDance mund të heqë dorë nga kontrolli mbi Tik-Tok-un në SHBA.

Ekspertët mendojnë se Kina po përdor Tik-Tok-un si një kartë për të fituar përfitime në fusha më të rëndësishme si tregtia, teknologjia dhe çështja e Tajvanit.

Një nga pikat kyçe të negociatave është kontrolli mbi algoritmin e Tik-Tok-ut, i cili ndihmoi në rritjen e shpejtë të përdoruesve në SHBA, ku platforma ka më shumë se 170 milionë përdorues.

Megjithatë, në Shtetet e Bashkuara, presidenti Donald Trump ka treguar interes për një marrëveshje të shpejtë, ndoshta si pjesë e përpjekjeve për një takim të drejtpërdrejtë me presidentin kinez Xi Jinping.

Sipas raportimeve, firma amerikane Oracle, do të ketë rolin e mbikëqyrësit të algoritmit në një kompani të përbashkët të re në SHBA, duke përdorur të dhëna amerikane për trajnimin e algoritmit.

Zyrtarët amerikanë thonë se kjo marrëveshje do të sigurojë kontrollin amerikan mbi algoritmin e Tik-Tok-ut.

Nga ana tjetër, Kina thotë se është arritur një “konsensus i përgjithshëm” për një kuadër bashkëpunimi, por nuk ka konfirmuar detajet e marrëveshjes.