09:03 / E Martë, 27 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Tirana zbardhet nga bora (Foto)

Tirana është zgjuar e zbardhur nga bora. Ashtu siç ishte parashikuar, reshjet e dëborës kanë rënë sot edhe në kryeqytet.

Në disa zona, reshjet kanë mbuluar rrugët dhe makinat. Ndërsa sipas parashikimit të motit duket se dhe kjo javë do të ketë mot të paqëndrueshëm ku do të mbizotërojnë temperaturat e ulëta të shoqëruara me reshje bore dhe shiu.

Paraditja mbetet me reshje të pakta shiu e dëbore në Veri dhe Qendër por reshje të përkohshme në Jug të vendit.

Ndërsa pas mesditës dhe deri në mbrëmje reshjet fokusohen kryesisht në zonat Qendrore ndërsa reshje të pakta në Veri dhe zonat Jugore dhe Juglindore.

Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit rriten lehtë në mëngjes e mesditë por në pjesën më të madhe të vendit mëngjesi mbetet në temperatura negative.

Era do të fryjë mesatare, me shpejtësi deri 40 km/h nga drejtimi Perëndimor duke bërë që në det dallgëzimi të ulet në 3 ballë.