75 Mall Live Search
14:41 / E Martë, 22 Dhjetor 2020 / OSH

Titulli për Milanin, njëri nga këta dy sulmues pritet të transferohet në janar

Milani është i vendosur të sjellë një sulmues në janar, pasi gjendja fizike e Zlatan Ibrahimoviqit nuk garanton për një sezon intensiv dhe me ngarkesë të lartë, teksa përveç serbit Luka Joviq, në skenë ka dalë edhe një tjetër emër interesant.

Bëhet fjalë për 21-vjeçarin Gianluca Skamacca, sulmues që luan me skuadrën e Genoas, por që është në pronësi të Sassuolos dhe në ndeshjen midis dy skuadrave të dielën, drejtuesit e dy klubeve përfituan për të diskutuar për veshjen kuqezi të futbollistit.

Scamacca është pjesë e Italisë U21, ndërsa për të ka folur me superlativa edhe Roberto Mancini, ndaj Milani e sheh si futbollistin ideal, që mund të rritet akoma më shumë, duke punuar me Ibrën dhe të jetë gati të mbajë peshën e sulmit, kur suedezi të largohet.

Aktualisht Sassuolo pretendon të arkëtojë një shifër prej 25 milionë eurosh nga kartoni i Scamaccës, 3-4 prej të cilave do të derdheshin në arkat e Genoas, me qëllim që ligurët ta lënë të lirë sulmuesin që në janar, pasi marrëveshja e huazimit përfundon në qershor.

Futbollisti italian duket se josh më shumë drejtuesit e Milanit, pasi do të mund ta blinin përfundimisht, ndryshe nga Joviqi, të cilin Reali është i hapur ta japë vetëm në huazim 6-mujor dhe pretendon një çmim të “kripur” për shitjen finale.