Një tjetër skandal në La Liga, talenti që refuzoi Barcelonën dhe vëllai i tij nën akuzë për mashtrim

Vëllezërit e njohur të futbollit spanjoll, Iñaki dhe Nico Williams, kanë reaguar përmes një deklarate të përbashkët lidhur me një padi të ngritur kundër tyre në gjykatën e Aoiz (Navarra), në lidhje me një mashtrim të dyshuar që ka të bëjë me blerjen e një makine luksoze.
Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, dy futbollistët kanë konfirmuar ekzistencën e një ankese ndaj tyre, por njëkohësisht mohojnë me forcë çdo shkelje.
“Pasi mësuam nëpërmjet medias për ekzistencën e mundshme të një ankese kundër nesh dhe pasi kemi marrë informacion, mund të konfirmojmë se është ngritur një ankesë bazuar në fakte që nuk korrespondojnë me të vërtetën”, thuhet në deklaratë.
Ata e konsiderojnë këtë padi si një tentativë për të dëmtuar figurën e tyre publike dhe profesionale.
“Është e qartë se qëllimi themelor i kësaj ankese të pabazuar është të minojë imazhin tonë personal dhe profesional, një përpjekje për të na shantazhuar, duke u përpjekur të na detyrojë të bëjmë një pagesë të papërshtatshme”, theksojnë vëllezërit Williams.
Dy lojtarët e Athletic Bilbaos shprehën gjithashtu besim të plotë në drejtësinë spanjolle dhe njoftuan se do të bashkëpunojnë plotësisht për zbardhjen e kësaj çështjeje.
“Nuk ka bazë faktike ose ligjore për të mbështetur akuzën për sjellje kriminale. Ne i besojmë plotësisht sistemit gjyqësor spanjoll dhe do të bashkëpunojmë në mënyrë aktive në sqarimin e fakteve”, përfundon deklarata e tyre.
