Tjetër tërmet në Afganistan

Edhe një tërmet i tretë ka goditur Afganistanin, në pjesën juglindore të vendit. Kësaj radhe tërmeti ishte me magnitude 5.6 dhe me thellësi të cekët.
Numri i viktimave nga tërmeti i së dielës, më 31 gusht, po vazhdon të rritet. Raportet e para pas tërmetit të tretë nuk flasin për viktima, megjithatë ekipet mjekësore që dolën në terren raportuan për lëndimin e të paktën 17 personave, të cilët janë dërguar në Spitalin Provincial të Kunarit.
Terreni i ashpër dhe i vështirë malor po e pengon punën e ekipeve të shpëtimit dhe shpërndarjen e ndihmave, ka thënë qeveria afgane.
Tërmeti i dytë, që ra të martën, kishte magnitude 5.5 dhe bëri që përkohësisht të ndaleshin operacionet e shpëtimit, të cilat në shumicën e rasteve po kryheshin me helikopter, pasi rrëshqitjet e dheut dhe rrënojat kishin bllokuar qasjen në fshatrat e largëta.
Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare ka raportuar se tërmeti i së dielës la 1,368 të vdekur dhe 2,180 të lënduar në 25 fshatra.
Afganistani është një vend ku tërmetet janë të shpeshta, pasi ndodhet në pikën ku takohen pllakat tektonike indiane dhe euroaziatike.
Në vitin 2023, nga një tërmet me magnitude 6.3 që goditi pjesën perëndimore të Afganistanit humbën jetën mbi 1,400 persona, ndërsa në vitin 2022, nga një tërmet me magnitude 5.9 që goditi pjesën lindore të vendit, humbën jetën të paktën 100 persona dhe u lënduan rreth 3,000 të tjerë.