75 Mall Live Search
17:24 / E Shtunë, 12 Korrik 2025 / Gj. Sh

Tjetër valë sulmesh me dronë dhe raketa drejt Ukrainës, raportohet për viktima

Rusia ka shënjestruar sërish qytetet ukrainase me një valë sulmesh me dronë dhe raketa, duke lënë të vrarë të paktën dy persona dhe duke i plagosur 10 të tjerë, kanë bërë të ditur zyrtarët ukrainas.

Sulmet e reja ajrore kanë ardhur teksa presidenti amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar se do të bëjë një “deklaratë të madhe” për Rusinë më 14 korrik.

Që kur ka nisur mandatin, Trump synon t’i japë fund luftës së nisur nga Moska në shkurt të vitit 2022. Qytetet në perëndim të Ukrainës e kanë vuajtur më së shumti valën e sulmeve të 12 korrikut.

Forca ajrore ukrainase ka thënë se i ka rrëzuar 319 prej 597 dronëve dhe 26 prej 27 raketave të nisura nga forcat ushtarake ruse.

Një 26-vjeçare dhe një 43-vjeçar janë vrarë si pasojë e sulmeve në Çernivtsi, afër kufirit me Rumaninë, ka bërë të ditur shefi rajonal i administratës ushtarake, Ruslan Zaparanyuk përmes një postimi në Telegram.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se përmes sulmeve të veta në Lviv, Lutsk dhe Harkiv i ka shënjestruar objektet e mbrojtjes. Rusia pretendon se nuk i godet objektet civile, pavarësisht të dhënave të shumta për të kundërtën.

Rusia i ka përshkallëzuar sulmet me dronë dhe raketa këtë vit, si dhe e ka intensifikuar ofensivën në vijën e frontit, pavarësisht humbjes së një numri të konsiderueshëm të ushtarëve.

Ritmi i sulmeve ajrore ruse kërkon përgjigje të shpejta dhe mund të luftohet vetëm përmes sanksioneve”, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në Telegram, më 12 korrik.

Lufta mund të ndalet vetëm përmes forcës. Nuk presim vetëm sinjale prej partnerëve tanë, por edhe veprime që do të ruajnë jetë”, ka shtuar Zelensky, duke kërkuar prej Perëndimit më shumë armë për mbrojtje