13:04 / E Mërkurë, 14 Gusht 2019 / indeksADMonline

Tkurret ekonomia gjermane, rikthehet frika për recesion

Ekonomia gjermane është tkurrur gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, tregojnë statistikat e fundit të publikuara nga Eurostat. Të njëjtin rezultat patën edhe disa nga ekonomitë më të forta të vendeve të Bashkimit Europian, ndërsa rritja në disa të tjera ishte në nivele të ulëta.

Rënia e eksporteve gjermane ndikoi në këtë rënie me 0,1% krahasuar me tremujorin e parë. Kjo shifër ndikon që rritja vjetore ekonomike të zbresë në nivelin 0,4%. Vitin e kaluar, ekonomia gjermane, më e madhja e Europës, për pak shmangu recesionin. Për të parë nëse do të bjerë në recesion këtë vit, apo do ta shmangë sërish, duhet të priten shifrat e tremujorit të tretë, që zakonisht janë edhe më përcaktueset.

Mes krizës së Brexit, edhe ekonomia britanike u tkurr, me 0,2% këtë tremujor, të njëjtën përqindje pati edhe ajo suedeze. Ekonomia italiane mbeti në stanjacion, ndërsa rritjen më të madhe e pati ajo polake, me 0,8%. Me 0,5% u rritën ekonomitë e Spanjës, Portugalisë e Holandës, ndërsa ato të Francës dhe Belgjikës me vetëm 0,2%, po aq sa eurozona dhe Bashkimi Europian.