75 Mall Live Search
13:24 / E Enjte, 04 Shkurt 2021 / AR

Tolaj për tubimet masive të partive politike: Kur është fjala për pushtetin, “s’ka rëndësi shëndeti”

Fushatat elektorale të partive politike për zgjedhjet e 14 shkurtit tashmë kanë filluar, por infektologu kosovar, Ilir Tolaj, thotë se organizimi i tyre është në kundërshtim të plotë me njohuritë mjekësore që udhëzojnë parandalimin e përhapjes së pakontrolluar të infeksionit, shkruan Indeksonline.

Tolaj për Indeksonline tha se politika, edhe njëherë tregoi se kur është fjala për pushtetin, deklarimet për rëndësinë e jetës së njerëzve ose për shëndetin publik në përgjithësi, janë vetëm deklarime boshe.

Ai shtoi se organizimi i këtyre tubimeve mund të paraqet problem serioz në shtimin e rasteve të reja me Covid-19.

Ky lloj i tubimeve, së bashku me faktin se në Kosovë tashmë është identifikuar prezenca e variantit të ri të virusit SARS CoV2, që ka aftësi më të madhe për përhapje më të shpejtë, mund të paraqet problem serioz në kuptim të shtimit të rasteve të reja në javët dhe muajt që na presin”.

Madje Tolaj e sheh këtë si formën më të përshtatshme për përhapjen e variantit të ri të këtij virusi.

Në gjithë këtë situatë, Tolaj thotë se ka një aspekt pozitiv pasi që numri i rasteve që e kanë kaluar këtë sëmundje ishte pa simptoma.

Një aspekt është pozitiv në gjithë këtë situatë, popullata e re dhe një shkallë e lartë e imunitetit kolektiv që tashmë besoj se është krijuar në Kosovë, sepse numri i rasteve që e kanë kaluar sëmundjen ose infeksionin pa simptoma, në Kosovë është shumë i lartë.

Kjo rrethanë mund të jetë e vetmja pengese për ndonjë skenar jo të përshtatshëm lidhur me Covid-19 në Kosovë”./Indeksonline/