13:27 / E Premte, 17 Mars 2023 / S Z

Tolaj: Projektligji për Çmimin e barnave minimizon kontrabandën

Projektligji për Çmimin e Produkteve Medicinale, do ta rregullojë tregun farmaceutik në vend, sa i përket përcaktimit të çmimeve dhe do ta minimizojë kontrabandën. Kështu ka pohuar Kryeshefi i Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale Sejdë Tolaj. Ai në një intervistë për “IndeksOnline” ka thënë se është koha e fundit, që institucionet ta rregullojnë këtë fushë.

Kur ka një fushë të rregulluar me Ligj, gjasat për keqpërdorim janë shumë më të vogla. Ku s’ka ligj ka anarki. Ku ka ligj ka rregullim. Efektet se sa është një ligj i mirë apo jo i mirë, se ka ndonjë të metë t’i shohim gjatë implementimit. Vet fakti që do të kemi një ligj në një të ardhme të afërt, për rregullimin e çmimit të barnave, kjo flet që do të rregullohet tregu farmaceutik, në aspektin e përcaktimit të çmimeve dhe do të minimizohet çështja e kontrabandës. Do të bëhet nivelizimi i çmimeve me vendet e rajonit. Pse vetëm Kosova të mbetet pa rregullim të çmimit të barnave, ku të gjitha shtete e rajonit dhe botës e kanë të rregulluar këtë çështje moti. S’kemi kohë për të humbur. Është treni i fundit për institucionet e shtetit, që ta kemi të aprovuar një Projektligj që është në procedurë e sipër”, tha ai..

Ndërsa thotë se ky Projektligj është i mirëseardhur në radhë të parë për qytetarët, pasi që do t’i mbrojë ata nga kosto e papërballueshme e çmimeve. E po ashtu është tejet i rëndësishëm dhe për institucionet shëndetësore publike, pasi që do ta përcaktojë dhe tavanin e çmimeve.

Në radhë të parë ky Projektligj e mbron qytetarin nga kostot e papërballueshme e çmimeve të larta të furnizimit me barna. Ky Projektligj dhe për institucionet shëndetësore publike, e ka rëndësinë e veçantë sepse tani përcaktohet tavani i çmimeve me shumicë, apo maksimumi që deri ku mund ta shesin një produkt qarkulluesit me shumicë apo distributorët. Atëherë kjo nënkupton që institucionet shëndetësore publike, do ta kenë mundësinë mbas aprovimit të këtij ligji, që të furnizohen me çmime shumë më të ulëta të furnizimit me barna për nevoja të institucioneve shëndetësore publike. Do të kursehet buxheti i republikës së Kosovës, ku me më pak buxhet do të kemi mundësinë të furnizohemi me më shumë barna për nevoja të pacientëve”, tha ai.

Tolaj ndër të tjera thekson se Projektligji, do ta pamundësojë hyrjen e  barnave në të zezë.

Sepse pas luftës shpesh herë kemi dëgjuar dhe parë raste, ku kontrabanduesit e ndryshëm të barnave të gjejnë rrugë ilegale, për t’i futur barnat në të zezë në tregun farmaceutik të Kosovës, gjë që e stopon këtë dukuri. Me vet faktin që me këtë projektligj do të bëhet nivelizimi i çmimeve të produkteve medicinale me ato të rajonit, kjo do ta  stopojë këtë aktivitet ilegal”, tha ai.

Ndërsa pohoi se mungesa e një Ligji të tillë, për shumë vite u ka mundësuar kompanive që të vendosin çmimet të cilat kanë ndryshuar nga barnatorja në barnatore.

“Vet fakti që kanë qenë çmimet e pakontrolluara dhe janë lënë  në dëshirën apo vullnetin e kompanive sa me i shit barnat apo barnatoreve. Ju e keni parë prej barnatores në barnatore,  ka pas laramani të ndryshme të çmimeve për të njëjtin produkt medicinal.  Kjo flet se nuk ka pasur një rregullim në kohën e pasluftës sa i përket çmimeve të produkteve medicinale. Dhe me këtë ligj do të përcaktohet një kornizë ligjore, ku do të caktohet tavani, se deri ku mund ta shet një produkt në qarkullues me shumicë dhe  një barnatore si qarkullues me pakicë”, tha ai.

Ndërsa tha se të gjithë ata që nuk respektojnë Ligjin për çmimet e  produkteve medicinale, do të gjobiten dhe se parashihen gjoba gogja të larta. E për të bërë inspektimin e barnatoreve, thotë se janë paraparë të shtohet numri i inspektorëve për 40, numër ky i cili do të jetë i mjaftueshëm, për të  për mbikëqyrjen e tregut farmaceutik, në gjithë territorin e Kosovës./Indeksonline/