75 Mall Live Search
20:42 / E Premte, 02 Tetor 2020 / indeksADMonline

Tolaj: Pyetja se kur s’do ketë asnjë rast me Covid-19 në Kosovë është e “një milion dollarëve”!

Tashmë në Kosovë është zbutur situata epidemiologjike, pasi që ka rënë dukshëm numri i të infektuarve me Covid-19, po rritet numri i pacientëve të shëruar, e gjithnjë në ulje numri i viktimave. Lidhur me këtë Indeksonline ka kontaktuar me infektologun Ilir Tolaj i cili foli gjatë për këtë temë, duke shtuar se pyetja se kur s’do ketë asnjë rast me Covid-19 në Kosovë është e “një milion dollarëve”!

Infektologu Ilir Tolaj për Indeksonline ka thënë se situata epidemiologjike lidhur me Covid-19 në Kosovë tash është më e mirë sesa qe ka qenë disa javë ose muaj më parë, kështu duke kryesuar edhe vendet e rajonit sa i përket numrit të testeve të bëra.

Tolaj tha se janë evidente pengesat me të cilat ballafaqohen njerëzit sa herë që kanë nevojë të testohen, duke bërë që shumë prej tyre, edhepse me simptome, ta kalojnë sëmundjen pa u testuar fare. E njejta po ndodh edhe me kontaktet e tyre.

“Mos ta harrojmë edhe faktin tjetër, tash shumica e të testuarve janë mësuesit dhe arsimtarët e shkollave fillore, për shkak të fillimit të vititi shkollor dhe përpjekjeve për t’iu kthyer normalitetit së paku në shkollat fillore, dhe rezultatet e dala nga testime e kësaj kategorie nuk janë reprezentuese për gjendjen në gjithë popullatën”.

Pyetur se cfarë ka ndikuar në uljen e numrit të rasteve me Covid-19, Tolaj tha: “Në situatën kur gjysma e testuarëve dalin pozitiv, siç ishte rasti më heret tek ne, atëherë kjo flet për një shkallë të lartë të përcjelljes së infeksionit në mesin e popullatës. Madje edhe rastet që në Kosovë dilnin negativ, në vendkalimet kufitare të vendeve përendimore rezultonin pozitiv për Covid 19, duke na dhënë një indikacion të qartë për nivelin real të infeksioneve tek ne dhe fatkeqësisht edhe për nivelin joadekuat profesional te kapaciteteve testuese tek ne.

Në një situatë të tillë, si tek ne ashtu edhe kudo në botë, kur një kontigjent i caktuar i popullatës infektohet në mënyrë masive, e mbyllë një cikël ky një grup i madh njerëzish, kryesisht ata më mobil, infektohen  në masë dhe përmes infektimit krijojnë edhe një imunitet të caktuar. Ky është shkaku kryesor i rënjës së numrit të rasteve me Covid 19 tek ne. Masat e caktuara parandaluese janë një kontribut modest në rënjen e këtij numri, jo për shkak se janë të paefktshme “per se”, por sepse respektimi i tyre ka qenë shumë i kufizuar”.

Tolaj paralajmëroi se pas një periudhe të caktuar do të kemi sërish numër të shtuar të rasteve me Covid-19, teksa thotë se masat për parandalimin e infeksionit nuk janë zgjidhja e problemit, masat vetëm e shtyjnë në kohë këtë problem.

Ardhja e sezonit dimëror po konsiderohet rrezik për përhapjen e këtij virusi, ndërsa infektologu Tolaj thotë se shkaktari I këtij virusi nuk ka treguar një sezonaliet, jo veq tek ne por kudo në botë.

“Dimri mund të ndikojë në përhapjen e infeksionit me faktin se njerëzit, për shkak të motiti të ftohtë, do të qëndrojnë më shumë në ambiente të mbyllura ku mundësia e marrjes së infeksionit është më e madhe”, u shpreh ai për Indeksonline.

Sipas të dhënave, Ilir Tolaj njofton se këtë vit do të ketë vonim të gripit sezonal (influenzës) në tërë kontinentin e Europës, kështu që ndërveprimin e SARS Cov 2 dhe virusit të influenzës, mund ta shohim tek në vitin tjetër kalendarik.

Tolaj ka folur edhe rreth vaksinave kundër Covid-19, ku thotë se disa nga prodhuesit e vaksinave, nga vendet si Rusia, Kina ose India, tashme janë shumë afër fazës kur do të prodhojnë vaksinën në mas të gjërë.

Ndërsa sa I përket vendeve përendimore, ndoshta deri në fund të vitit ndonjeri prej tyre do të jetë i gatshëm për prodhim masiv të vaksinës, por sipas Tolajt Kosova me siguri duhet të pret një kohë të caktuar, e edhe kur të fillojë të furnizohet me vaksinën, kjo do të bëhet me sasi të kufizuara. “Prandaj, konstatimet e zyrtarëve që Kosova do të pajiset me vaksinën antiCovid jane joreale dhe të pasinqerta”.

Kur do vijë koha që në Kosovë nuk do të ketë asnjë rast me Covid-19, Tolaj tha se kjo është pyetje e “një milion dollarëve”, duke shtuar se edhe për një kohë do vazhdojë kështu, e madje ajo kohe nuk do vijë kurrë.

“Njerëzit do të mësohen me këtë situatë dhe do ta konsiderojnë edhe këtë infeksion e sëmundje si shumë të tjera me të cilat tash ballafaqohemi në mënyrë më të qetë dhe realiste.

Skenari që virusi mund të zhduket papritmas, ashtu siç edhe u shfaq, është më pak i mundshëm. Studimet e mutacioneve gjenetike po tregojnë se ky virus tashmë është etabluar në popullatën njerëzore dhe se vështirë do të kalojë në ndonjë specie tjetër, duke e lënë të qetë specien e njerëzve”, përfundoi ifenktologu, Ilir Tolaj./Indeksonline/