09:42 / E Martë, 30 Janar 2018 / indeksADMonline

Tollovia në hyrje të QKUK-së

Sistemi digjital i pagesës në hyrje-dalje te Qendrës Klinike Universitare të Kosovës po vazhdon të shkaktojë tollovi jo vetëm në hyrje të kësaj qendre por në rrugët përreth saj.

Zyrtarë të QKUK-së thonë se tollovi ka në të gjitha rrugët e kryeqytetit jo vetëm përreth Qendrës Klinike Universitare. Ndërsa Policia e Kosovës thotë se do të marr masa për ta evituar tollovitë në trafik.

Menaxheri i projektit për digjitalizimin e hyrje-daljeve në QKUK, Faton Hajzeraj tha për Radio Kosovën se bllokimi i komunikacionit në afërsi të QKUK nuk është duke ndodhur shkaku i vendosjes së laurave. Sipas tij tollovi dhe kolona ka në të gjitha lagjet e Prishtinës, jo vetëm përreth QKUK-së.

“Në fillim kur kemi filluar me projektin kemi pasur tollovi, tash nuk kemi asnjë problem asnjë telashe me komunikacion as të brendshëm, brenda oborrit të QKUKU-së as jashtë tij. Nuk ka tollovi në asnjërën prej hyrjeve, tollovia nuk ndodhet vetëm në hyrje të Prishtinës, ai problem nuk është vetëm i joni por është problem i komunikacionit brenda kryeqytetit”, tha Hajzeraj.

Ndërkohë Milaim Fejzullahu, Komandant i trafikut rrugor për rajonin e Prishtinës, thotë se kanë pasur një takim me drejtorin e QKUK-së për ngritjen e laurave deri në orën 8 me qëllim që të evitohen kolonat . Ai tha se gjatë javës që vjen do të takohet prapë me të me qëllim që të gjendet një zgjidhje për të evituar tollovitë në hyrje të QKUK-së

“Unë gjatë kësaj jave do ta kem edhe një takim me të, do ta njoftoj për situatën edhe një herë, edhe do te ulemi të bashkëbisedojmë të shohim se çka mundemi të bëjmë në mënyrë që t’i evitojmë këto probleme”, tha Fejzullahu.

Fejzullahu thotë se kolonat e krijuara në kryeqytet, e në veçanti  në hyrje të QKUK-së bëhen për shkak se kërkesat e qytetarëve për shërbime në këtë qendër terciare shëndetësore janë shumë të mëdha.

Temat: