22:30 / E Mërkurë, 24 Shkurt 2021 / OSH

Tomë Gashi për deklaratën e Glauk Konjufcës: Ambasada e Kosovës do të jetë në Jerusalem edhe pikë

Avokati Tomë Gashi ka folur rreth vendosjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem dhe njohjen e Izraelit nga marrëveshja e 4 shtatorit mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington.

Ndër të tjerash, ai ka përmendur edhe deklaratën e Glauk Konjufcës nga Vetëvendosje, i cili ka thënë se nëse Bashkimi Evropian kërkon rishikimin e vendimit për vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, atëherë ai vendim do të rishqyrtohet.

“Deklarata e Glauk Konjufcës ka mund të keqpërdoret, ai nuk ka thënë kurrgjë hiç keq. Ne mund ta shqyrtojmë një vendim, njëjtë siç i shqyrtojmë disa tema këtu në debat, por ai nuk ka thënë se do të ndërrojmë lokacionin, sepse Ambasada e Republikës së Kosovës do të jetë në Jerusalem edhe pikë”, ka thënë Gashi në RTK.

Ai ka thënë se dy të mirat nga Marrëveshja e Uashingtonit janë njohja nga Izraeli dhe vendosja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.