Tony Blair po do të bëhet “kryeministër” i Gazës sipas modelit të Kosovës

Sir Tony Blair po dëshiron ta drejtojë Gazën posa të përfundojë lufta mes Izraelit dhe Hamasit.
Ish-kryeministri britanik ka hartuar një plan për t’i dhënë fund luftës përmes organizatës së tij ‘think tank’, “the Tony Blair Institute” (TBI).
“The Telegraph” ka mësuar se Sir Tony, 72-vjeç, ofroi të kryesonte një qeveri të përkohshme në Gaza me kusht që pushteti përfundimisht t’i dorëzohej Autoritetit Palestinez (AP), i cili kontrollonte Rripin e Gazës deri në vitin 2006.
Ai ka mbështetjen e disa figurave të fuqishme, përfshirë Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trumpit dhe një ish-këshilltar për Lindjen e Mesme, dhe Steve Witkoff, të dërguarin special të presidentit amerikan.
Në një takim me presidentin amerikan në Shtëpinë e Bardhë më 27 gusht, Kushner dhe Witkoff argumentuan se ish-lideri i Partisë Laburiste britanike mund të drejtonte një administratë të përkohshme në Gaza. Burime i thanë “The Economist” se Sir Tony ishte “i gatshëm të sakrifikonte kohën e tij” për t’i dhënë fund luftës dhe për të ndihmuar në drejtimin e Gazës.
Trumpi thuhet se e mbështeti atë plan përpara se t’ua paraqiste idenë udhëheqësve të Turqisë, Pakistanit, Indonezisë dhe pesë vendeve arabe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork këtë javë. “Ndoshta mund ta përfundojmë [luftën] tani”, thuhet se u tha atyre, transmeton Klankosova.tv.
Burime më parë konfirmuan për “The Telegraph” se Sir Tony kishte punuar në një plan për t’i dhënë fund luftës, i njohur si “dita pas”, që kur shpërtheu konflikti në tetor 2023.
Plani i Blairit, i cili përditësohet dhe rishikohet vazhdimisht, nuk përfshin zhvendosjen e banorëve të Gazës, por do të përfshijë krijimin e një organi të përkohshëm të quajtur Autoriteti Ndërkombëtar Kalimtar i Gazës (Gita).
Burimet i thanë “The Economist” se Gita do të modelohet sipas administratave ndërkombëtare që ishin në fuqi gjatë tranzicionit të Timorit Lindor dhe Kosovës në shtetësi të plotë. Mund të ketë selinë në el-Arish, një kryeqytet provincial egjiptian pranë jugut të Gazës.
Pas largimit nga detyra dhe deri në vitin 2015, ish-kryeministri shërbeu si i dërguar special i Kuartetit për Lindjen e Mesme, një organ i përbërë nga OKB-ja, ShBA-ja, BE-ja dhe Rusia, i cili ndërmjetëson procesin e paqes Izrael-Palestinë.
Një zëdhënës i Sir Tony nuk pranoi të komentonte mbi raportet.
Trump tha të enjten në një konferencë për shtyp së bashku me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan se një marrëveshje paqeje mund të jetë afër. “Duhet të takohem me Izraelin”, tha ai në Zyrën Ovale. “Mendoj se mund ta arrijmë këtë. Shpresoj ta arrijmë. Shumë njerëz po vdesin, por ne duam që pengjet të kthehen”.
Gita do të shërbente si “autoriteti suprem politik dhe ligjor për Gazën gjatë periudhës kalimtare”, thuhet në një version të një propozimi të draftit, sipas “The Times of Israel”.
Do të kishte të paktën një përfaqësues palestinez në bordin e saj, si dhe zyrtarë të lartë të OKB-së, figura kryesore ndërkombëtare me përvojë në biznes dhe “përfaqësim të fortë të anëtarëve myslimanë”.
Trump i dha Sir Tonyt dy javë kohë për të siguruar mbështetje rajonale për planin e tij gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë në gusht. Ai ishte veçanërisht i etur që ish-kryeministri të siguronte mbështetjen e Arabisë Saudite, sepse e sheh vendin si vendimtar për rezultatin e çdo plani pas luftës.
Mohammed bin Salman, princi i kurorës së Arabisë Saudite, dëshiron që çdo plan pas luftës të çojë në krijimin e një shteti palestinez, diçka që Benjamin Netanyahu, kryeministri izraelit, e ka hedhur poshtë kategorikisht.
Sipas planit “Gita”, Gaza dhe Bregu Perëndimor do të ribashkohen, përpara se territori palestinez t’i dorëzohet përfundimisht Autoritetit Palestinez, por Autoriteti Palestinez ende nuk është pajtuar me planin. Këshilltarët e presidentit palestinez, Mahmoud Abbas kanë paralajmëruar se plani i Sir Tonyt mund të shndërrohet në një pushtim.
Izraeli ka hedhur poshtë publikisht çdo rol që Autoriteti Palestinez të ketë në qeverisjen e Gazës, por është angazhuar “në mënyrë konstruktive” me planin. /Klankosova.tv