Top Kolshit një muaj paraburgim për vrasjen e Enver Bajraktarit në Baicë të Lipjanit

Një muaj paraburgim i është caktuar Top Kolshit, si i dyshuar për vrasjen dhe groposjen e Enver Bajraktarit në Baicë të Lipjanit, raporton Ekonomia Online.
Këtë për Ekonomia Online e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kaltrina Shala.
“Ju njoftojme se prokurori i shtetit ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, ështe mbajtur seanca dhe të pandehurit T.K., i është caktuar masa e paraburgimit për vrasjen e rëndë në Lipjan. Për çdo zhvillim të ri ju njoftojmë me kohë”, tha ajo.
Kolshi, i dyshuar për vrasjen e Enver Bajraktarit, ka dalë sot para gjykatës. Ai kishte pranuar vrasjen gjatë intervistimit të tij nga prokuroria.
Kolshi u arrestua të martën, pas kontrolleve të kryera në fshatin ku ndodhi edhe vrasja.
“Pas ndalimit në polici dhe dhënies së deklaratës, i dyshuari ka pranuar veprimet e tij dhe kryerjen e veprës penale”, u tha në njoftimin e përbashkët të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës.
Më 4 gusht, Bajraktari ishte raportuar i zhdukur nga familjarët e tij. Një ditë më vonë, në Baicë ishte gjetur një trup i pajetë i varrosur në një arë. Më pas u konfirmua se viktima ishte Enver Bajraktari.