09:06 / E Enjte, 09 Maj 2019 / indeksADMonline

Topalli: LDK e VV po e mbajnë gjallë Qeverinë Haradinaj

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Faton Topalli, ka thënë se dy partitë e mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, janë duke e mbajtur të gjallë Qeverinë Haradinaj.

Ai këto komente i ka bërë në Klan Kosova, duke shtuar se PSD-ja është subjekti i parë politik që i ka mbledhur nënshkrimet për ta rrëzuar Qeverinë aktuale, mirëpo sipas tij ato nënshkrime kanë përfunduar në sirtarët e LDK-së.

“Nëse dikush është duke e mbajtur Qeverinë Haradinaj në pushtet, janë pikërisht dy partitë e mëdha opozitare të cilat me mosbashkëpunimin e tyre po ia zgjasin jetën kësaj Qeverie”.

“PSD-ja është subjekti i parë që i ka mbledhur nënshkrimet për ta rrëzuar këtë Qeveri. Ne jemi edhe sot të gatshëm që ta bëjmë këtë, por nuk i kemi numrat”.

“Mirëpo ne e praktikojmë një politikë e cila nuk është shkatërrimtare. Me presionin e PSD-së ne kemi arritur që ta detyrojmë Qeverinë që ta miratojë ligjin për paga, i cili është zvarritur për vite me radhë”.

“Tjetra është se tani jemi duke u marrë me sektorin privat ku mendoj se do të ketë një ngritje të pagës. Për ne kjo është një temë shumë e rëndësishme sepse prek një numër të madh të qytetarëve”.

“Pastaj lufta kundër korrupsionit është gjithashtu një temë e rëndësishme të cilën ne jemi duke e shtyrë përpara. Është deputetja Shqipe Pantina ajo e cila e ka propozuar vetingun”.

“Fillimisht është thënë se PSD-ja nuk do të mund ta kalojë një përqindëshin. Mirëpo vazhdimisht është dëshmuar se PSD-ja është parti në rritje dhe nuk ka mundësi që ne të mos jemi pjesë e zgjedhjeve të ardhshme”.