75 Mall Live Search
16:43 / E Martë, 07 Prill 2020 / indeksADMonline

Topanica në karantinë/140 persona presin për t’u testuar, por si po furnizohen me ushqim e barna banorët?

170 është numri i përgjithshëm i personave të infektuar me COVID-19 në Kosovë. Në mesin e tyre janë edhe 12 banorë të fshatit Topanicë, në komunën e Kamenicës.

Për shkak të numri të madh të të shfaqurve me koronavirus ky fshat është futur në karantinë prej disa ditësh.

IndeksOnline lidhur me gjithë këtë situatë ka kontaktuar Komunën e Kamenicës.

Aktualisht numri i personave që janë identifikuar si kontakte është 140, prej të cilëve disa që kanë simptoma pritet të testohen në ditët në vijim, por që tashmë të gjithë janë në vetëizolim dhe nuk mund të dalin. Numri i personave të vetëizoluar tani për tani është 160.

“Fatmirësisht qytetarët janë duke i zbatuar të gjitha udhëzimet me përpikmëri dhe Policia është në përkujdesje gjatë gjithë kohës”, u tha nga kjo komunë.

Tutje u theksua se duke qenë zonë e karantinuar dhe lëvizja e banorëve është e ndaluar, për çështjen e marrjes së mostrave për testime, përkujdeset IShKP-ja.

“Ata vijnë dhe i marrin mostrat, e që në këtë mënyrë, të identifikuarit shmangin kontaktet e mundshme me të tjerët. Por, pavarësisht kësaj qytetarët duhet të kuptojnë që mund të infektohen edhe atëherë kur dikush nuk shfaqë simptoma në atë kohë, sepse ato mund të shfaqen edhe më vonë. Është shumë me rendësi që të gjithë t’u përmbahen rregullave për distancë e gjithë masave tjera preventive”, thuhet në përgjigje.

Një nga gjërat më të rëndësishme gjatë karantinimit është edhe furnizimi me ushqim dhe me medikamente, duke pas parasysh faktin e mbylljes së banorëve.

Por siç duket në Topanicë furnizimi po ecën siç duhet madje disa nga familjet e të infektuarve shpenzimet i kanë të hequra nga komuna.

“Momentalisht gjithçka është në rregull sa i përket furnizimeve me ushqim dhe medikamente mjekësore. Janë rastet e familjeve që kanë personat e infektuar, e që ne si komunë po ua heqim shpenzimet. Ndërkaq, pjesa tjetër e banorëve janë duke e organizuar vet çështjen e furnizimit.

Është një market i cili përkujdeset për dërgesën dhe furnizimin me ushqime, dhe një vullnetar që po kujdeset për çështjen e medikamenteve”, u tha në përgjigjen e dhënë për Indeksonline.

Përpos kësaj, ka edhe donatorë që tashmë  kanë dhuruar mjete për furnizim me medikamente për ata të cilët kanë nevojë.

Komunën e Kamenicës sot e vizitoi edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Gjatë kësaj vizite, Kurti tha se muaji prill është vendimtar në përballjen me COVID-19.

Deri më tani numri i viktimave si pasojë e këtij virusi është katër, ku dy prej tyre ndërruan jetë ditën e djeshme ndërsa një sot./Indeksonline/