Tordini (LuxDev): Kosova mund të bëhet qendër rajonale për inovacione në shëndetësi – Indeksonline.net
75 Mall Live Search
Zgjidh gjuhën

Tordini (LuxDev): Kosova mund të bëhet qendër rajonale për inovacione në shëndetësi

Për herë të parë në Kosovë është mbajtur “Kosova Health Forum 2025”, një platformë kombëtare e dedikuar dialogut, inovacionit dhe reformave në sektorin e shëndetësisë, organizuar nga Asociacioni i Spitaleve Private të Kosovës (ASPKS).

Ngjarja pati për qëllim promovimin e bashkëpunimit midis sektorit publik dhe privat, inovacionit dhe transformimit digjital në shëndetësi.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, tha se sektori i shëndetësisë kërkon bashkëpunim të sinqertë dhe integrim të kapaciteteve publike dhe private.

“Shëndetësia është njëra nga fushat ku më së shumti kërkohet bashkëpunim, sepse asnjë institucion publik apo privat nuk mund t’i adresojë sfidat i vetëm. Reformat në shëndetësi kërkojnë bashkëpunim të sinqertë, dialog të hapur dhe angazhim të përbashkët. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për integrim të kapaciteteve dhe jo ndarje të tyre, që sistemi shëndetësor publik të jetë komplementar me sektorin privat. MSH e ka aprovuar Strategjinë Sektoriale të Shëndetësisë 2025–2030, e cila do të mundësojë kalimin e sistemit tonë nga niveli i mirëmbajtjes në një sistem shëndetësor në zhvillim, duke ndryshuar format e financimit përmes funksionalizimit të skemës së sigurimeve të detyrueshme shëndetësore, integrimit të shërbimeve dhe rritjes së transparencës e llogaridhënies, me qëllim rritjen e vlerësimit të qytetarëve për sistemin shëndetësor”, tha ai.

Berisha shtoi se transformimi digjital në shëndetësi është domosdoshmëri.

“Përshpejtimi i transformimit digjital në Kosovë nuk është opsion, por domosdoshmëri. Me strategjinë për reformimin e shëndetësisë janë planifikuar në detaje të gjitha aktivitetet për digjitalizimin e sistemit, duke përfshirë sistemin e referimit apo shtigjeve klinike, implementimin e recetës elektronike, dosjet shëndetësore elektronike, si dhe informimin dhe integrimin e të dhënave ndërmjet sektorit publik dhe privat”, tha ai.

Giovanni Tordini, përfaqësues i LuxDev në Kosovë, tha se forumi synon të bëhet platforma kryesore për avancimin e sektorit shëndetësor.

“Forumi i Shëndetit në Kosovë, një ngjarje historike, është krijuar për t’u bërë platforma kryesore për avancimin e sektorit të shëndetësisë në Kosovë. I përgëzoj organizatorët për bashkimin e një grupi kaq të larmishëm dhe me ndikim të aktorëve. Pjesëmarrja juaj këtu reflekton angazhimin e përbashkët për të formësuar një të ardhme më të shëndetshme për qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Tordini shtoi se forumi është një hap drejt pozicionimit të Kosovës si qendër rajonale për inovacion dhe transformim të qëndrueshëm në shëndetësi.

“Kam kuptuar se Forumi i Shëndetit në Kosovë është themeluar me një mision të qartë dhe ambicioz: të krijojë një hapësirë dinamike ku politikbërësit, profesionistët shëndetësorë, donatorët, inovatorët dhe partnerët e sektorit privat mund të takohen, të shkëmbejnë ide dhe të punojnë së bashku drejt reformave domethënëse në shëndetësi. Vizioni i këtij forumi shkon edhe më tej, duke synuar ta pozicionojë Kosovën si një qendër rajonale për dialog, inovacion dhe transformim të qëndrueshëm në sektorin shëndetësor. Dhe unë mendoj se pikërisht kjo është ajo që i duhet sistemit shëndetësor të Kosovës”, tha ai.

Floren Kavaja, kryesues i Kuvendit të ASPKS, tha se ky forum synon të ndërtojë një sistem shëndetësor më të drejtë dhe më të qëndrueshëm dhe të intensifikojë bashkëpunimin ndërmjet sektorit privat dhe publik.

“Ky forum po zhvillohet në një moment vendimtar për të ardhmen e shëndetësisë në vendin tonë dhe na bashkon të gjithë neve rreth një qëllimi të përbashkët: të ndërtojmë një sistem shëndetësor më të fortë, më të drejtë dhe më të qëndrueshëm për çdo qytetar të Kosovës. Është një sinjal i qartë se shëndetësia e Kosovës është prioritet jo vetëm kombëtar, por edhe një fushë me rëndësi për partnerët tanë ndërkombëtarë. ASPKS përfaqëson zërin e 30 spitaleve private të Kosovës, një organizatë e pavarur, profesionale dhe e përkushtuar për të mbrojtur interesat e anëtarëve të saj. Spitalet private nuk janë vetëm pjesë e sistemit, por edhe një shtyllë e rëndësishme etike. Ato sjellin investime konkrete në infrastrukturë moderne, teknologji të avancuar diagnostike-terapeutike, modele efikase menaxhimi dhe, mbi të gjitha, rrisin mundësitë dhe alternativat e qytetarëve për shërbime cilësore”, tha ai.

Astrit Panxha, CEO dhe themelues i Kosova Business Forum, theksoi se Kosova po avancon proceset dhe nuk është importuese e stabilitetit, por eksportuese e tij.

“Shpesh po krijohet perceptimi se në Kosovë nuk funksionon asgjë. Kosova shihet si burim i lajmeve të këqija, dhe ne jemi munduar të organizojmë evente që tregojnë se në Kosovë kanë avancuar shumë procese. Kosova më nuk është importuese e stabilitetit, por realisht eksporton stabilitet dhe është një vend i mirë dhe i sigurt për të bërë biznes”, tha ai.

Të fundit nga IndeksOnline