20:23 / E Premte, 05 Janar 2024 / MSH

Torturimi i Sanduloviq, deputetja kosovare thotë se Serbia është Rusia në miniaturë

Opozitari serb, Nikola Sanduloviq, raportohet të jetë rrahur dhe torturuar për shkak se kishte kërkuar falje për krimet e luftës që bëri Serbia në luftën e fundit në Kosovë.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe deputetja Jeta Statovci.

Ajo thotë se rasti i Sanduloviq “na kujton me çfarë kemi pasë të bëjmë historikisht si komb, dhe me çfarë kemi të bëjmë akoma si fqinj”.

“Fatkeqësisht, tashmë mund të shihet edhe më qartë se Kosova ka në kufi një shtet satelit rus, që tenton të mashtrojë perëndimin, por minon çdo vlerë të përbashkët me perëndimin” ka thënë mes të tjerash ajo.

Ky është reagimi i plotë:

RUSIA NË MINIATURË

Sfidë e madhe e fat i keq për Kosovën, që ka fqinj shtetin e Serbisë, një shtet autoritar pra jo demokratik i kontrolluar nga grupe të përfshira në krim, që ka filluar të helmojë e torturojë edhe liderët politik të opozitës.

Arrestimi, tortura dhe helmemi i liderit opozitar serb Nikola Sanduloviç na kujton me çfarë kemi pasë të bëjmë historikisht si komb, dhe me çfarë kemi të bëjmë akoma si fqinj. Teknika e përdorimit të shërbimeve sekrete për shkatërrimin e oponencës politike, është karakteristikë vetëm e vendeve që luftojnë fuqishëm vlerat e demokracisë, pra vlerat perëndimore.

Fatkeqësisht, tashmë mund të shihet edhe më qartë se Kosova ka në kufi një shtet satelit rus, që tenton të mashtrojë perëndimin, por minon çdo vlerë të përbashkët me perëndimin.