Totaj: E rikthyem Grantin e Performancës pas shumë vitesh si rezultat i punës

Për herë të parë pas shumë vitesh, Komuna e Prizrenit ka arritur ta fitojë Grantin e Performancës, një nga mekanizmat më të rëndësishëm që shpërblen komunat për transparencë, menaxhim efikas dhe qeverisje të mirë.
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, theksoi se ky sukses është dëshmi e përkushtimit të administratës komunale për t’i shërbyer qytetarëve me profesionalizëm dhe llogaridhënie.
“Ky është një moment i veçantë për Prizrenin. Pas shumë vitesh, arritëm ta sigurojmë Grantin e Performancës falë punës së mirë, transparencës dhe përkushtimit për llogaridhënie. Ky është sukses i qytetarëve të Prizrenit, të cilët meritojnë një qeverisje të tillë” – tha Totaj.
Ai shtoi se ky grant është vetëm fillimi i një rruge të re për vendosjen e standardeve më të larta në qeverisjen lokale.
“Do të vazhdojmë të shënojmë rekorde të reja të mirëqeverisjes, duke e bërë Prizrenin model për komunat tjera të vendit. Qytetarët tanë meritojnë institucione efikase, transparente dhe me vizion zhvillimor” – u shpreh Totaj.
Ky sukses hapë rrugë për më shumë investime dhe projekte zhvillimore në Komunën e Prizrenit, duke përmirësuar shërbimet dhe cilësinë e jetës për qytetarët.