Totaj: Investuam në qytet e fshat, tani koha për projekte të mëdha

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, vizitoi sot disa nga familjet që kanë përfituar nga projekti “Rregullimi i kulmeve për kategoritë sociale dhe familjet në vështirësi ekonomike”, që po realizohet nga Drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Gjatë vizitës, kryetari Totaj theksoi rëndësinë e këtij projekti për përmirësimin e jetës së qytetarëve në nevojë. “Sigurimi i një strehe të sigurt është e drejtë themelore.
Ne do të vazhdojmë të jemi pranë familjeve që kanë më së shumti nevojë për mbështetje” – u shpreh ai. Deri më tani, nga ky projekt kanë përfituar 73 familje, si në qytet ashtu edhe në fshatrat e Komunës së Prizrenit. Përmes këtij investimi, familjeve u është ofruar jo vetëm përmirësim i infrastrukturës së shtëpive të tyre, por edhe ndjesi më e madhe sigurie dhe dinjiteti.
“Ky projekt është vetëm njëri nga hapat që po ndërmarrim për të garantuar kushte më të mira jetese për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim” – shtoi Kryetari Totaj.
Sipas tij, investimet kanë prek fshat e qytet duke përfunduar shumë nevoja e emergjenca. Tani në mandatin e dytë, është koha për projekte të mëdha!