75 Mall Live Search
11:50 / E Hënë, 02 Mars 2026 / OSH

Totaj reagon ndaj Ligjit për Inspektoratin e Tregut: Është e papranueshme, po na merren kompetencat

Kryetari i Prizrenit, Shaqit Totaj ka reaguar ndaj ligjit të miratuar për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut.

Sipas Totaj me këtë ligj po iu merren kompetencat komunës dhe të njëjtat po centralizohen në nivel qendror.

“Si kryetar i komunës suaj, ndjej detyrim publik të reagoj fuqishëm ndaj ligjit të miratuar për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, me të cilin kompetencat e inspektorateve komunale në fushën e industrisë, ndërmarrësisë dhe tregtisë po merren nga komunat dhe po centralizohen në nivel qendror.
Ky vendim është i papranueshëm.
Ai është hap i drejtpërdrejtë kundër decentralizimit, kundër Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kundër Ligjit për vetëqeverisje lokale dhe kundër Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale, të cilën Kosova e ka pranuar si standard bazë për demokracinë lokale.
Komuna nuk është degë e administratës qendrore.
Komuna është institucion i të zgjedhurve nga qytetarët.
Inspektorati komunal është mekanizëm për mbrojtjen e konsumatorit, biznesit lokal dhe rendit në treg. Heqja e këtyre kompetencave nuk është reformë por është centralizim që dobëson komunat, rrit burokracinë dhe e largon shtetin nga qytetari.
Kjo nuk është mënyra se si ndërtohet partneritet ndërinstitucional.
Nëse dje janë merë kompetencat e inspektoratit, nesër mund të merren kompetenca të tjera në fusha vitale për komunë.
Prandaj, si kryetar komune, nuk do të hesht përballë çdo vendimi që dëmton autonominë lokale dhe interesin e qytetarëve që më kanë zgjedhur.
Decentralizimi është themel i shtetit demokratik.
Pa komuna të forta, nuk ka Kosovë të forte”, shkruan Totaj në reagim./Indeksonline/