Totaj takon bizneset e vogla tradicionale të Prizrenit: Përkrahja do të dyfishohet në mandatin e ri

Takimet e ngrohta dhe mikpritja në zemër të qytetit janë pasqyra më e mirë e punës që është bërë për Prizrenin gjatë katër viteve të fundit.
Kryetari i Komunës dhe kandidati për mandat të dytë, Shaqir Totaj, së bashku me një pjesë të kandidatëve për Asamble, vizituan bizneset e vogla e tradicionale përgjatë rrugës kryesore “Adem Jashari”, një zonë që tashmë ka marrë pamje krejt tjetër.
Investimet e bëra në infrastrukturë janë kombinuar me mbështetjen direkte për pronarët e bizneseve.
Përmes përkrahjes institucionale, këto biznese kanë mundur të shtojnë pajisje të reja, të rrisin shitjet dhe të përmirësojnë pamjen e tyre të jashtme, duke u shndërruar në një atraksion të gjallë për qytetarët dhe vizitorët.
“Puna jonë gjatë katër viteve po ndihet kudo, por më së miri ndjehet kur takon pronarët e këtyre bizneseve ikonike të qytetit. Ky është vizioni ynë për Prizrenin – zhvillim ekonomik, ruajtje e traditës dhe krijim i një atmosfere që e bën qytetin tonë më tërheqës për të gjithë,” u shpreh Totaj.
Me këtë ritëm të përkrahjes dhe investimeve, Prizreni po dëshmohet si një qytet që punon për çdo qytetar, duke ndërlidhur të kaluarën e pasur kulturore me zhvillimet moderne dhe ekonomike.
