75 Mall Live Search
08:28 / E Martë, 03 Nëntor 2020 / A. M.

Tovërlani: Futbolli të mos ndalet assesi, nuk po vdesin të gjithë nga Covid-19

Vala e dytë e Covid19 tashmë ka prekur edhe Kosovën. Megjithatë Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që aktivitetet sportive të mos ndalen. Ndonëse klubet ishin rekomanduar që të kryejnë testet, Superliga e Kosovës ka gati dy muaj që zhvillohet pa bërë asnjë test. Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka deklaruar se Qeveria mund të shtrëngojë masat nëse situata përkeqësohet. Trajneri i futbollit Afrim Tovërlani, mendon se futbolli në assesi nuk duhet të ndalet.

“Jo, në asnjë mënyrë nuk duhet të ndalet futbolli por shtimi i testimeve po me siguri. Prap po e them që as OBSh nuk po janë të sigurtë ne deklaratat e tyre që nga fillimi i kësaj pandemie. E të themë të drejtën me pas kujdes duhet, por assesi të ndalen veprimtaritë sepse do të futemi një një kolaps të madhë pas herës së kaluar. Kam shumë dyshime në lidhje me të gjitha këto deri sa nuk del dikush me statistika të sakta për numrin e vdekjeve të viteve të kaluara në këtë periudhë dhe sivjet. Nuk është e vërtetë që të gjithë po vdesin nga Covidi. Mendimi im personal në bazë të atyre që po ndëgjoj, lexoj e bisedoj me njerëz” deklaroi Tovërlani për Indeksonline.

Ish trajneri i Feronikelit tregon nga eksperienca e tij se në të kaluarën e afërt ka pasur futbollistë të infektuar me koronavirus që nuk janë izoluar dhe kanë vazhduar veprimtarinë.

“Të them të drejtën nuk e dijm saktë a ka futbollistë me Covid në futbollin tonë. Për ta ditur duhet të bëhen teste dhe të jenë transparente. Edhe nëse ndonjëri del pozitiv, nuk është marre por shumë normale në ditët e sotit. Sa është e rrezikshme nuk mund ta them me saktësi sepse do ta merrja përgjegjësin e profesionistëve të profesionit. Nga e kaluara e afërt e di se shumë futbollistë e kanë pasur dhe e kanë kaluar pa ndonjë simptom apo problem.  E kjo rritja disi e çuditshme të them të drejtën por gripi këto i ka me sezona” shprehet Tovërlani.