11:25 / E Premte, 07 Maj 2021 / Blerim

Tovërlani: Ka pasur ndeshje të dyshimta/ Kurdisjet janë armiku më i madh i futbollit

Trajneri i njohur kosovar, Afrim Tovërlani ka folur rreth dyshimeve për kurdisje javët e fundit në Superligën e Kosovës në futboll.

Burimet e Indeksonline mbrëmë bënë të ditur që shtëpia më e madhe e futbollit në Europë, UEFA ka dërguar një letër në adresë të Federatës së Futbollit të Kosovës, duke e njoftuar se po heton tri skuadra të Superligës për kurdisje.

Gjatë një interviste për IndeksOnline, ish-trajneri i Prishtinës tha se trukimet janë armiku kryesor i futbollit.

“Po është e vërtetë që UEFA është duke hetuar ndeshjet e kampionatit tonë dhe do të ishte katastrofale për futbollin nëse vërtetohet se ka pasur ndeshje të kurdisura dhe të dënohej ndonjë klub. Kemi mjaftë shembuj se çfarë i ka ndodhur klubeve të rajonit dhe çfarë peripecish kanë pasur pas dënimit. Kurdisjet janë armiku kryesor i futbollit. Jam i sigurt që ata po na përcjellin, e ne duhet të ndërmarrim masa. Klubet mund ta pësojnë edhe më vonë”, ka thënë për IndeksOnline Afrim Tovërlani.

Sipas UEFA-s, janë tre klube në Superligën e Kosovës që janë duke u hetuar për kurdisje. ‘Toki’ nuk e ka idenë se për cilat klube bëhet fjalë, por thotë se ka pasur ndeshje të dyshimta.

“Unë nuk jam hetues i prokurorisë i ndonjë komisioni në FFK. Ka pasur ndeshje të dyshimta, por nuk jam unë ai që i heton”, vazhdoi tutje trajneri i njohur kosovar.

Kujtojmë që ky dyshim i UEFA-s, nisi nga faktorët kyç, që janë lëvizjet e shpeshta të kuotave në bastoret ndërkombëtare./IndeksOnline/