Toyota shiti 9.53 milionë automjete vitin e kaluar

Prodhuesi japonez i automjeteve “Toyota”, vitin e kaluar, ka shitur 9.53 milionë automjete, me çka tejkaloi edhe konkurrentin gjerman “Volkswagen”.
Drejtoria e kompanisë”Toyota Motor” tha se gjiganti japonez shiti 11.3 për qind më pak automjete në vitin 2020 sesa që kishte në vitin 2019. Kjo është rënia e parë në shitje që kompania ka regjistruar në 5 vjetët e fundit.
Në njoftim thuhet se vitin e kaluar për shkak të pandemisë COVID-19 është ulur edhe prodhimi për 14.1 për qind në raport me vitin e kaluar. Megjithatë, “Toyota” përfundoi vitin jashtëzakonisht të vështirë 2020 si lider botëror në numrin e automjeteve të shitura.
Nën “Toyota” janë edhe prodhuesit e automjeteve “Daihatsu” dhe kamionët “Hino”.
Prodhuesi gjerman i automjeteve “Volkswagen” gjatë vitit 2020 ka shitur 9.1 milionë automjete, që është për 15.2 për qind më pak në krahasim me shitjet në vitin 2019.