75 Mall Live Search
20:12 / E Martë, 03 Mars 2026 / MSH1

Traditë interesante në Danimarkë: Beqarët 30-vjeçarë “lahen” me piper

Një traditë e vjetër skandinave, që daton qindra vjet më parë, vazhdon të praktikohet në disa zona të Danimarkës, duke i kthyer ditëlindjet e beqarëve në një spektakël të vërtetë me erëza, sipas “The Independent”.

Sipas artikullit, zakoni e ka origjinën në kohën kur tregtarët e erëzave udhëtonin vazhdimisht dhe rrallëherë krijonin familje.

Për shkak të jetës së tyre nomade, ata shpesh mbeteshin beqarë gjatë gjithë jetës dhe morën nofkën “Pebersvend”, që do të thotë “beqari i piperit”.

Gratë beqare quheshin “Pebermo” – “vajza e piperit”.

Me kalimin e kohës, kjo lidhje simbolike me erëzat u shndërrua në një ritual festiv.

Sipas traditës nëse një person mbush 25 vjeç dhe ende nuk është martuar, miqtë e tij e surprizojnë duke e mbuluar me kanellë.

Në disa raste, personi lidhet në një shtyllë, pemë apo karrige dhe spërkatet me sasi të mëdha kanelle.

Por nëse beqaria vazhdon deri në moshën 30-vjeçare, “ndëshkimi” bëhet edhe më i fortë: këtë herë përdoret piper i zi.

Miqtë mund të përdorin madje edhe fikëse zjarri të mbushura me piper për ta hedhur mbi festarin, duke e kthyer ngjarjen në një skenë kaotike, por plot humor.

Megjithëse mund të duket e ashpër, tradita konsiderohet një shaka miqësore dhe një mënyrë argëtuese për të shënuar një moment jetësor.

Në Danimarkën moderne, martesa nuk ka më të njëjtën peshë sociale si dikur, por zakoni vazhdon të mbijetojë si një ritual festiv mes miqsh, transmeton ATSH.

Në disa komunitete, kjo “ceremoni me erëza” mbetet një nga mënyrat më të paharrueshme për të festuar 25 apo 30-vjetorin.