12:01 / E Martë, 05 Dhjetor 2023 / mp

Trafiku Urban sqaron situatën e monedhave 2-euroshe

Pas publikimit të lajmit në Indeksonline, se në linjën e autobusëve të Trafikut Urban nuk po i pranojnë monedhat 2 euroshe, ka reaguar edhe kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje Burim Maraj.

Ky i fundit në një prononcim për “Indeksonline”-n, ka thënë se Banka Qendrore e Kosovës në komunikatën e 7 nëntorit 2023, me qëllim të udhëzimeve shtesë dhe sqarimit të paqartësive të ngritura, udhëzon qytetarët dhe bizneset të vazhdojnë të kenë kujdes të shtuar gjatë transaksioneve me para të gatshme, me theks të veçantë të shmangin përdorimin e parave të gatshme veçanërisht monedhën 2 euroshe dhe të shfrytëzojnë sa më shumë kartelat bankare gjatë pagesave.

“Duke pasur parasysh që për pagesën e biletës për udhëtim me Trafikun Urban, qytetarët përdorin zakonisht monedha të imëta si 0.50, 1 dhe 2 euro, kjo ka paraqitur problem për konduktorët tanë.

Ne ju njoftojmë se Trafiku Urban operon në bazë të vendimeve të organeve kompetente dhe në këtë rast të Bankës Qendrore të Kosovës. Punonjësit tanë janë të informuar dhe ne po punojmë në vetëdijesimin dhe trajnimin e tyre për mënyrën e identifikimit të monedhave metalike të falsifikuara dhe pranimit të tyre”, ka thënë Maraj.

Sipas tij, për këtë arsye mund të ketë raste kur ata vlerësojnë se monedhat janë të falsifikuara dhe mund t’u kërkojnë udhëtarëve që të kryejnë pagesën më të holla të tjera.

“E kuptojmë se kjo mund të ngjallë reagime te qytetarët, mirëpo jemi të detyruar të operojmë në këtë formë dhe në rast se qytetarët kundërshtojnë të bashkëpunojnë do të detyrohemi që këto raste t’i paraqesim te organet ligjzbatuese.

Trafiku Urban ofron mundësinë e pajisjes me biletë përmes SMS-ve dhe në këto raste i ftojmë qytetarët që të shfrytëzojnë këtë formë, e cila është më e lehtë dhe më e sigurt”, ka theksuar Maraj.