“Trafiku Urban” dhe NPB nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

U.D. i Kryeshefit Ekzekutiv të “Trafikut Urban”, Qendrim Vitija, dhe Kryeshefi i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), Arton Berisha, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi që parasheh kryerjen e intervenimeve dhe riparimeve ndërtimore në objektet dhe hapësirat që administrohen nga “Trafiku Urban”.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është përmirësimi i kushteve të punës dhe krijimi i hapësirave më funksionale për stafin e ndërmarrjes, me fokus sigurinë në vendin e punës.
Vitija theksoi se kjo marrëveshje është një investim i drejtpërdrejtë në punëtorët dhe në cilësinë e shërbimit që u ofrohet qytetarëve:
“Me këtë marrëveshje po investojmë drejtpërdrejt në punëtorët tanë dhe në cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve. Kushte më të mira pune do të thonë shërbime më të mira për komunitetin,” deklaroi U.D. Kryeshefi, Qendrim Vitija nga N.P.K. “Trafiku Urban”.
Nga ana tjetër, Kryeshefi i NPB-së, Arton Berisha, u shpreh se ky bashkëpunim është shembull i qartë i funksionimit të mirëfilltë të ndërmarrjeve publike: “Jemi të bindur se investimi në infrastrukturën e objekteve dhe hapësirave të punës përkthehet drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së shërbimeve.“
Kjo marrëveshje pritet të sjellë rezultate konkrete në një afat të shkurtër dhe të përforcojë bashkëpunimin në mes të dy ndërmarrjeve.