Trafiku urban në kryeqytet/ Sa po respektohen masat kundër COVID-19

Qarkullimi i autobusëve të linjave lokale në Prishtinë ka rifilluar që nga muaji maj, me rregullin e vetëm që të gjithë qytetarët të cilët udhëtojnë me Trafikun Urban t’i kenë vendosur maskat e dorëzat, në mënyrë që të parandalohet përhapja e COVID-19.
Në 51 autobusët, që i ka përgjegjësi NPK “Trafiku Urban”, me 7 linja, nga 18 maji janë kufizuar edhe vendet për udhëtarë, ku një autobus lejohet të ketë maksimumi 20 udhëtarë.
Por, jo rrallëherë kemi parë autobus të stërmbushur rrugëve të Prishtinës, gjatë pandemisë.
Lulzim Rexhepaj, Kryeshef Ekzekutiv në NPK “Trafiku Urban”, për IndeksOnline ka thënë se në autobusët që menaxhon kjo ndërmarrje po respektohen masat e vëna nga Ministria e Shëndetësisë.
“Në autobusët tanë respektohen plotësisht vendimet e institucioneve, qe nga rinisja e transportit urban, 18 maji 2020, ne i kemi kufizuar vendet për udhëtarë brenda autobusëve tanë, që maksimumi 20 dhe kjo është implementuar dhe monitoruar vazhdimisht nga ne përmes Grupit te Kontrolles që është njësi e veçantë brenda ndërmarrjes”, tha ai.
Por siç duket, pandemia ka ndikuar edhe tek të hyrat e kësaj ndërmarrjeje, duke bërë që të shtyhen disa projekte e investime.
Rexhepaj tha se kjo erdhi si pasojë e shkurtimit të orarit të punës dhe reduktimit të udhëtarëve.
“Si rezultat i kufizimit/reduktimit të qarkullimit vetëm deri në ora 21:00 janë zvogëluar të hyrat e ndërmarrjes, andaj dhe vështirësitë janë shumë të dukshme, duke u zvogëluar buxheti i planifikuar i këtij viti dhe njëkohësisht shtyerja e projekteve dhe investimeve të planifikuara për vitin 2020 që kanë qenë të planifikuara për ecuri normale”, shtoi ai.
Ndërkohë, qytetarët e Prishtinës janë ankuar se po hasin në vështirësi për shkak të mungesës së autobusëve të rinj dhe linjave të pakta në qarkullim.
Drejtori i “Trafikut Urban” tha se pa blerjen e autobusëve të tjerë, nuk mund të zgjerohen në linjat e tjera për të përmbushur kërkesat e qytetarëve.
Ndryshe, pas ndryshimit të orarit të lëvizjes së lirë, rikthehet orari i rregullt i qarkullimit të autobusëve në linjat e Trafikut Urban nga ora 06:00 deri 22:00./IndeksOnline/