12:11 / E Martë, 02 Korrik 2019

Tragjedi e rëndë në Tiranë, një kokërr qershie i merr jetën foshnjës 16 muajsh

Një fëmijë 16 muajsh nga Pakistani, ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30 të mbrëmjes së djeshme, në shërbimin Pediatrik të QSUT. Mjekët e urgjencës tentuan menjëherë oskigjenimin dhe frymëmarrjen artificiale, por nuk mund ta kthejnë në jetë fëmijën.

Shkaku i kësaj ngjarje të rëndë mësohet të jetë bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes nga një kokërr qershie. Burime për “News 24” thanë se familja pakistaneze kishte mbetur në trafik për minuta të tëra në rrugën që të çon tek urgjenca pediatrike dhe asnjë automjet nuk e hapte rrugën, gjë që ka detyruar prindërit t’i drejtohen për ndihmë patrullës së forcave Shqiponja.

Vetëm kur automjeti i policisë ka ardhur në ndihmë të familjes është mundësuar hapja e rrugës por më kot. Burime nga QSUT, pohojnë se fëmija ka mbërritur pa shenja jete në urgjencë, ç’ka ja ka bërë të pamundur mjekëve që të japin ndihmën e parë në kohë. Prindërit e fëmijës me origjinë pakistaneze jetojnë dhe punojnë prej vitesh në Shqipëri.