75 Mall Live Search
11:11 / E Enjte, 18 Shtator 2025 / F.R

Tragjedi në brigjet e Libisë: 61 migrantë humbin jetën pas përmbysjes së një varke në Tobruk

Një varkë që transportonte migrantë është përmbysur në brigjet e Tobrukut, në verilindje të Libisë, duke shkaktuar humbjen e të paktën 61 personave, mes tyre gra dhe fëmijë. Lajmi u konfirmua të mërkurën nga komisioneri i lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR).

Sipas UNHCR-së, nga 74 persona që ndodheshin në bord, vetëm 13 arritën të mbijetonin. Mediat vendase raportojnë se anija ishte nisur nga qyteti bregdetar Zuwara, në perëndim të Libisë, pranë kufirit me Tunizinë. Të gjitha viktimat ishin shtetas sudanezë që po përpiqeshin të kalonin Mesdheun drejt Evropës përmes rrugës qendrore të migracionit.

“Mesdheu Qendror mbetet një nga rrugët më të rrezikshme të migracionit në botë”, thuhet në deklaratën e agjencive të OKB-së, të cilat shprehën ngushëllime për familjet e viktimave dhe bënë thirrje për veprim ndërkombëtar.

Në deklaratë nënvizohet se zgjidhja afatgjatë e këtyre tragjedive lidhet me përfundimin e luftës në Sudan, e cila ka detyruar mijëra qytetarë të braktisin vendin. Konflikti mes ushtrisë sudaneze dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), i nisur në prill 2023, ka përkeqësuar krizën humanitare dhe e ka bërë të pamundur kthimin e sigurt të civilëve në atdhe.