75 Mall Live Search
09:58 / E Enjte, 17 Prill 2025 / FR

Tragjedi në lumin Kongo, të paktën 50 të vdekur

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në veriperëndim të Kongos, ku një barkë e mbushur me pasagjerë ka marrë flakë dhe është përmbysur në lumin Kongo, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 50 personave dhe zhdukjen e qindra të tjerëve.

Ngjarja ndodhi pranë qytetit Mbandaka, kur një barkë e madhe prej druri me motor, që transportonte rreth 400 persona, u përfshi nga flakët dhe më pas u përmbys. Sipas një zyrtari lokal, dhjetëra të mbijetuar janë shpëtuar nga uji, megjithatë shumë prej tyre kanë pësuar djegie të rënda.

Barka ishte nisur nga porti i Matankumu dhe kishte destinacion territorin e Bolombës. Shkaku i zjarrit ende nuk është konfirmuar, ndërkohë që autoritetet provinciale dhe ekipet e Kryqit të Kuq po punojnë intensivisht për të gjetur të mbijetuar dhe për të identifikuar viktimat.

Ngjarja ka tronditur komunitetin vendas dhe ka rikthyer në vëmendje kushtet e rrezikshme të udhëtimit në rrugët ujore të Kongos, ku mbingarkimi dhe mungesa e masave të sigurisë janë probleme të zakonshme.

Autoritetet kanë premtuar hetime të thelluara dhe masa për të parandaluar tragjedi të ngjashme në të ardhmen.