75 Mall Live Search
09:03 / E Enjte, 10 Gusht 2023 / MSH

Tragjedi në Skenderaj: Një i vdekur dhe tre të plagosur nga të shtënat me armë në një kafiteri

Një vrasje e rëndë ka ndodhur orët e para të mëngjesit të sotëm, në një kafiteri në Skenderaj, ku ka mbetur i vrarë një person dhe tre të tjerë janë plagosur.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Runik.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka dhënë detaje se si ka ndodhur rasti.

Sipas Zahitit, viktima 39 vjeçar nuk iu ka mbijetuar plagëve dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Ndërkaq, tre të tjerë të lënduar po ashtu nga arma e zjarrit janë dërguar për tretman në QKUK.

“Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runik të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor. Bazuar në hetimet fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39 vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar (po ashtu nga arma e zjarrit) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, ka thënë Zahiti për Indeksonline.

Zahiti pohon se nga hetimet e para dyshohet se dy persona të maskuar kanë hyrë në kafiteri, kanë shtënë me armë dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.

“Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja. Gjitha veprimet e ndërmarra policore, janë udhëhequr nga prokurori i rastit i cili ka dalë në vend të ngjarjes ndërsa i njëjti ka autorizuar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Hetuesit e Sektorit Rajonal janë duke punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e kryesit/ve të veprës si dhe zbardhjen e kësaj vepre penale”, shtoi Zahiti.