75 Mall Live Search
17:45 / E Martë, 28 Tetor 2025 / BA

Tragjedi te Manchester United, babai i futbollistit të “Djajve të Kuq” i jep fund jetës

Një ngjarje e rëndë ka tronditur futbollistin e ri të Manchester United, Rhys Bennett, i cili ka humbur babain në rrethana tragjike.

Sipas raportimeve nga mediat angleze dhe vetë klubit, babai i tij ka ndërruar jetë pasi kreu vetëvrasje.

Bennett, që tri vite më parë udhëhoqi ekipin e të rinjve të United drejt trofeut të Kupës FA, ndau lajmin e dhimbshëm përmes një postimi emocional në Instagram, ku shprehu tronditjen dhe pikëllimin e thellë për humbjen e të atit.

“Babi, nuk e mendova kurrë se do të më duhej ta shkruaja kaq herët. Jam i thyer, i shkatërruar, nuk dua ta besoj, por është e vërtetë. Nga drejtimi i makinës për të më çuar në stërvitje, deri te çdo ndeshje ku më shikoje të përmbushja ëndrrën time për t’u bërë futbollist profesionist — të dua në këtë jetë dhe në tjetrën,” shkroi Bennett.

Në fund të mesazhit të tij, 20-vjeçari dërgoi edhe një thirrje prekëse për ndërgjegjësim mbi problemet e shëndetit mendor: “Vetëvrasja është një zgjidhje e përhershme për një problem të përkohshëm. Të lutem, fol! Nuk e kupton sa i dashur je.”

Tragjedia ka prekur thellë ambientin e Manchester United, ku bashkëlojtarët dhe klubi i kanë shprehur ngushëllimet Bennett-it dhe familjes së tij në këto momente të vështira.