Tragjedia e shqiptarëve në Cyrih: Vdes djali, pas dy ditësh edhe i ati
Nga pikëllimi për humbejn e të birit, vetëm dy ditë më vonë pëson sulm në tru dhe vdes edhe i ati, Hamëz Neziri, i lindur në vitin 1967, ish- luftëtar i UÇK-së, veteran i luftës
Dy tragjedi të rënda kanë goditur pak ditë më parë familjen Neziraj nga Dobidoli i Rahovecit të Kosovës, azilkërkues në Zvicër. Së pari, siç merr vesh albinfo.ch nga burimet e afërta me familjen, më 21 shtator djali 20- vjeçar Lirim (Hamëz) Neziri, i sëmurë nga epilepsia dhe autizmi, ka humbur jetën nën rrotët e trenit në Oerlikon të Cyrihut.
Qendra e azilit ku banonte familja Neziri ishte shumë afër binarëve të trenit dhe ndër pikat e rralla ku nuk ka të vendosur ndonjë mburojë.
Nga pikëllimi për humbjen e të birit, vetëm dy ditë më vonë pëson sulm në tru dhe vdes edhe i ati, Hamëz Neziri, i lindur në vitin 1967, ish- luftëtar i UÇK-së, veteran i luftës.
Është e habitshme se si shtypi zviceran nuk e ka regjistruar me asnjë fjalë rastin tragjik të vdekjes aksidentale të të riut, ndërkohë që lajme edhe për aksidente shumë më të lehta gjejnë vend në mediat e këtushme.
Tragjedia e rëndë e familjes Neziri ka ngjallur dhimbje dhe ndjenjën e solidaritetit të bashkatdhetarëve tanë me qëndrim në Zvicër. Kështu, siç merr vesh albinfo.ch. pak pas ngjarjes është iniciuar një aksion për grumbullimin e mjeteve për dërgimin e kufomave për varrim, në vendlindje.
Për shkak të statusit të tyre si azilkërkues, pjesëtarët e tjerë të familjes, nëna, një vajzë dhe një djalë, nuk lejohen të shkojnë në Kosovë për të marrë pjesë në varrim.