Tragjedia me 40 viktima në klubin në Zvicër, autoritetet pranojnë se ka pasur mungesë kontrollesh sigurie: S’u kryen verifikimet
Komuna e Crans-Montana ka pranuar se kanë ndodhur “mangësi” në kryerjen e kontrolleve periodike të sigurisë dhe kundër zjarrit në klubin e natës që u shkatërrua nga flakët natën e Vitit të Ri, tragjedi kjo që çoi në vdekjen e 40 personave.
“Kontrollet periodike nuk janë kryer gjatë periudhës 2020–2025. Na vjen thellësisht keq për këtë,” deklaroi sot presidenti i Crans-Montanas, Nikolas Ferro, gjatë një konference për shtyp në qendrën zvicerane të skive, pa qenë në gjendje të japë shpjegime konkrete për këtë “neglizhencë” në zbatimin e kontrolleve.
Gjatë një konference për shtyp, prokurorja Beatrice Pilloud kishte deklaruar lidhur me shkaqet e zjarrit vdekjeprurës.
“Nga sa mund të konkludojmë deri më tani, zjarri duket se ka nisur nga fishekzjarrë të vegjël, të cilët u afruan shumë pranë tavanit të klubit. Kjo ka qenë, me shumë gjasa, shkëndija fillestare e zjarrit, i cili u përhap me shpejtësi të madhe. Ekziston material i filmuar që po analizohet.
Po ashtu, ka shumë dëshmitarë që po merren në pyetje, ndërsa po përgatiten raporte dhe janë hartuar lista me personat që ndodheshin në ‘Le Constellation’ mbrëmjen e natës së Vitit të Ri”, tha ajo.

