75 Mall Live Search
22:53 / E Martë, 10 Qershor 2025 / Burim

Tragjedia në Graz, MPJD jozyrtarisht konfirmon se në mesin e viktimave është edhe 15 vjeçarja me prejardhje nga Kosova

Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në Graz të Austrisë.

Në mesin e viktima është edhe një 15 vjeçare me prejardhje nga Kosova.

Kjo u konfirmua jozyrtarisht edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes një njoftimi.

“Nga burime jozyrtare kemi mësuar se në mesin e viktimave mund të jetë edhe një e mitur me prejardhje nga Kosova, L.B. e lindur në Austri në vitin 2010. Autoritetet austriake nuk kanë publikuar ende një listë zyrtare të plotë të viktimave dhe të lënduarve, për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe moshës së të përfshirëve”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Tutje në njoftimin e Ministrisë së Jashtme kosovare theksohet se nga të dhënat e deritanishme të konfirmuara nga Policia Austriake, në mesin e viktimave gjendet vetëm një shtetas i huaj me origjinë nga Polonia, viktimat e tjera janë shtetas austriakë, ndërsa shtetas nga Kosova, nuk ka as në mesin e të plagosurve.

“Sipas informacioneve zyrtare të pranuara nga Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA) në Vjenë, si pasojë e të shtënave me armë zjarri, kanë humbur jetën 10 persona, gjashtë femra dhe katër meshkuj, përfshirë edhe autorin e dyshuar të ngjarjes, i cili dyshohet se ka kryer vetëvrasje brenda ambienteve të shkollës”.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri, është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kompetente austriake lidhur me krimin e rëndë të ndodhur sot në një shkollë në qytetin Graz.

Deri më tani nga sulmi i armatosur në një shkollë të Grazit në Austri, raportohet se kanë vdekur 11 persona dhe janë plagosur dhjetëra të tjerë. /IndeksOnline/