09:03 / E Shtunë, 22 Korrik 2023 / shkelqim osmanaj

Tragjedia në Liqenin e Banjës, flet babai i 20-vjeçarit të mbytur: Nisa të kërkoja vet

E premtja u mbyll me një ngjarje tragjike, ku 4 persona, babai, dy djemtë e tij dhe një kushëri i tyre, u mbytën në Liqenin e Banjës në Gramsh.

Një ngjarje tragjike tronditi mbrëmjen e djeshme Gramshin, ku katër persona, mes të cilëve babai dhe dy djemtë e tij, kanë gjetur vdekjen pasi janë mbytur në liqenin e Banjës, ku ishin futur për t’u larë.

Ishin familjarët e tyre, të cilët lajmëruan policinë, e cila shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes dhe angazhuan palombarët për nisjen e kërkimeve të trupave. Pas 90 minutash kërkime, katër viktimat; Arben Zogu 46 vjeç dhe dy djemtë e tij, Ruben dhe Esti Zogu dhe nipi, Melsi Zogu, 20 vjeç, u nxorën të pajetë nga liqeni me ndihmën e palombarëve.

Babai i 20-vjeçarit Melsi Zogu tha për mediat se të 4 viktimat kishin shkuar në liqen për t’u larë, por pasi ata nuk iu ishin përgjigjur telefonit, babai ishte nisur drejt vendngjarjes.

“U detyrova që të merrja një makinë dhe erdha me vrap. U futa deri diku, por nuk gjeta gjë. Djalin kam. Ata ikën për t’u larë. Babai me dy fëmijët e tjerë janë kushërinjtë tanë. I kanë me motora e telefona këtu. U nisën në orën 3 dhe i morëm në orën 17:00 në telefon. Kanë ardhur këtu janë larë. Nuk dimë më gjë më tej.”, tha babai i 20-vjeçarit.