Tragjedia në Pejë ku dy të rinj u gjetën të vdekur në një vilë, Prokuroria: Janë identifikuar dëshmitarë dhe siguruar prova
Prokuroria Themelore e Pejës ka dalë me detaje lidhur me tragjedinë që ndodhi sot atje, ku dy të rinj u gjetën të vdekur në një vilë. Viktimat janë një burrë i moshës 25-vjeçare dhe një grua e moshës 20-vjeçare.
Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, ka deklaruar për IndeksOnline se janë siguruar prova dhe janë identifikuar dëshmitarë lidhur me rastin.
Ai ka bërë me dije se në vendngjarje ndodhen Kryeprokurorja dhe prokurorja e Krimeve të Rënda.
“Me të pranuar informatën menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes Policia e Kosovës, dyshohet se ishin pa shenje jete në një motel. Në vendin e ngjarjes kanë dalë kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës dhe prokurorja e Krimeve të Rënda dhe janë ndërmarrë të gjitha veprimet në vendin e ngjarjes duke siguruar provat të cilat do të shërbejnë në veprimet e mëtutjeshme. Njëkohësisht janë identifikuar dëshmitarë, është ftuar Mjekësia Ligjore për t’i tërhequr trupat e pajetë dhe me urdhër të shtetit të bëhet autopsia”, ka deklaruar Nikçi, i cili ka shtuar se informata të tjera s’mund të ndahen shkaku i ndjeshmërisë së rastit.

