19:00 / E Hënë, 24 Shtator 2018 / indeksADMonline

Tragjedia në Torovicë, dajë dhe nip vdesin gjatë pastrimit të një pusi

Dajë dhe nip  kanë humbur jetën nga asfiksia teksa po punonin për pastrimin e  një pusi në Torovicë të Lezhës.

Dy viktimat mësohet se janë Martin Gjonaj 35 vjeç dhe Marjan Ndoci 21 vjeç.

“Sot, rreth orës 16:50, dyshohet se shtetasi M.Gj. rreth 35 vjeç, banues në Pukë dhe shtetasi M.N. rreth 21 vjeç, banues në Torovicë, kanë qenë duke pastruar një pus uji në fshatin Torovicë të Lezhës, dhe kanë mbetur në fund të tij” njofton policia.

Menjëherë në vendngjarje janë nisur dhe kanë mbërritur  shërbimi policor, shërbimi zjarrfikës dhe ambulanca,  ku u bë e mundur nxjerrja e trupave të tyre, pa shenja jete.

Por banorët thonë se zjarrfikësja ka vonuar rreth 1 orë për të mbërritur. Ata madje kanë tentuar vetë të futen në pus për ti nxjerrë por ka qenë e pamundur.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, vazhdojnë hetimet në vendngjarje për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.