75 Mall Live Search
17:44 / E Enjte, 01 Janar 2026 / MSH1

Tragjedia në Zvicër, ambasadori Latifi deklarohet për IndeksOnline

Një ngjarje e rëndë tronditi Zvicrën, ku në qendrën e skijimit në Crans-Motana, një zjarr u mori jetën dhjetëra personave dhe qindra të tjerë u lënduan.

Policia tha se në zjarrin e Ditës së Vitit të Ri ka të ngjarë të jenë përfshirë persona me disa kombësi. Zjarri ndodhi në orën 01:30 sipas kohës lokale në një bar të quajtur Le Constellation, në resortin Crans-Montana.

IndeksOnline ka kontaktuar ambasadorin e Republikës së Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi, që pohoi se janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet, lidhur me identifikimin e të përfshirëve në zjarr.

Deri më tani, Latifi pohon se nuk kanë pranuar ndonjë informacion nëse në mesin e viktimave apo të lënduarve ka shtetas të Republikës së Kosovës.

“Rreth orës 17 kemi biseduar me linjën emergjente të policisë federale, të krijuar enkas për shërbimet diplomatike, në lidhje me tragjedinë në Crans-Montana.

Deri më tash nuk është bërë identifikimi i viktimave në bazë nacionale. Janë duke punuar në këtë drejtim. Posa të dihet, do të njoftohemi menjëherë dhe ne do e bëjmë publike” deklaroi Latifi, për IndeksOnline.

Ai shtoi se Ambasada është në dispozicion të shtetasve tanë atje dhe është duke e monitoruar me shumë kujdes këtë situatë.

Një gjë të tillë e pohoi më herët gjatë ditës edhe kryeprokurorja e rajonit, Beatrice Pilloud.

“Puna për identifikimin e viktimave dhe kthimin e trupave te familjet sa më shpejt që të jetë e mundur po vazhdon” u shpreh ajo./IndeksOnline/