75 Mall Live Search
11:30 / E Shtunë, 15 Nëntor 2025 / F.R

Trainkos reagon pas dëmtimit të vagonëve të rinj në Stacionin e Hani i Elezit

Trainkos ka reaguar pas një akti të rëndë vandal të ndodhur në Stacionin Hekurudhor të Hani i Elezit, ku vagonët e sapo-riparuar janë dëmtuar dhe ngjyrosur me grafite në mënyrë të qëllimshme.

Këta vagonë, të rikthyer nga riparimi me një investim prej 423 mijë euro nga buxheti i Republikës së Kosovës, ende pa u vënë në operim, janë dëmtuar sërish, shkruan IndeksOnline.

Rasti vjen vetëm pak muaj pas thyerjes së xhamave në prill, duke e bërë këtë incident edhe më shqetësues për kompaninë.

Sipas Trainkos, vagonët kanë mbërritur më 17 dhjetor 2024 në stacion, mirëpo transportimi i tyre drejt Fushë Kosovës është i pamundur pasi linja hekurudhore Fushë Kosovë – Hani i Elezit vazhdon të mbetet e mbyllur. Kjo vonesë po krijon pengesa serioze për rikthimin e vagonëve në funksion dhe rritjen e kapaciteteve transportuese të ndërmarrjes.

Në reagim, Trainkos thekson se që nga nisja e projektit në vitin 2019, dëmet ndaj ndërmarrjes kanë tejkaluar 10 milionë euro – humbje financiare, goditje ndaj imazhit dhe ndikim negativ te klientët që përdorin transportin hekurudhor.

Ndërmarrja kërkon nga organet kompetente hetim të plotë dhe ndëshkim për personat përgjegjës, duke e cilësuar këtë si një dëm të drejtpërdrejtë ndaj pronës publike dhe përpjekjeve për modernizimin e transportit hekurudhor në vend./IndeksOnline/