09:24 / E Diele, 26 Maj 2024 / Gj. Sh

Trajneri dhe mbrojtësi që luan te Kosova largohen nga Fushë Kosova

Dje ka përfunduar sezoni futbollistik në futbollin kosovar.

Ballkani u shpall kampion i Superligës, Fushë Kosova dhe Liria kanë rënë në Ligën e Parë, derisa Feronikeli ’74 do të luaj në barazh, shkruan IndeksOnline.

Pas përfundimit të kampionatit, skuadra e Fushë Kosovës, ka mbetur edhe pa trejner, pasi Burim Shala ka njoftuar largimin nga kjo pozitë.

”E nderuara kryesi e klubit, të dashur tifozë të “Pampurave” dhe dashamire të futbollit të Fushë Kosovës.
Me përfundimin e kampionatit, po ashtu përfundon edhe rrugëtimi im me klubin futbollistik të Fushë Kosovës.
Me këtë rast dua të shpreh mirënjohjen time për drejtuesit e klubit për besimin dhe mbështetjen, për tifozët “Pampurat” për mbështetjen e palëkundur dhe për stafin tim që punoi pa u lodhur gjatë dy viteve e gjysmë.
Një falenderim i veçantë shkon për të gjithë futbollistët që dhanë më të mirën në vazhdimësi.
Klubit të Fushë Kosovës i uroj suksese të mëdha në të ardhmen.
Mirupafshim dhe gjithë të mirat.”, ka shkruar Shala.

Po ashtu largimin nga Fushë Kosova e ka konfirmuar edhe mbrojtësi, Ardi Ajdini, i cili është pjesë e Përfaqësueses së Kosovës U21./IndeksOnline/