Trajneri i Islandës flet para ndeshjeve të play-offit: Kosova ka lojtarë cilësorë

Përzgjedhësi i Islandës, Arnar Vidar Gunnlaugsson, ka folur me respekt për ekipin kombëtar të Kosovës, duke theksuar cilësinë e lojtarëve dhe përvojën e trajnerit Franco Foda.
Në konferencën për media të mbajtur të mërkurën, Gunnlaugsson pranoi se ndeshjet ndaj Kosovës në Ligën e Kombeve do të jenë të vështira dhe se diferenca midis dy skuadrave nuk është aq e madhe sa e tregojnë renditjet zyrtare.
“Është një ekip me individë të talentuar, me lojtarë që luajnë për shembull për Napolin, Mallorcan, Lillen dhe Freiburgun. Kosova ka trajner me përvojë, i cili ka drejtuar edhe Austrinë para Ralf Rangnickut. Ai ka përvojë në futbollin ndërkombëtar. Kosova është 29 vende më poshtë se ne në renditjen botërore, por diferenca ndërmjet skuadrave nuk është aq e madhe”, tha Gunnlaugsson.
Islandezët do të përballen me Kosovën në dy ndeshje brenda këtij cikli të Ligës së Kombeve, por për Gunnlaugssonin, fakti që ndeshja e parë “në shtëpi” do të luhet në Spanjë për shkak të kushteve atmosferike nuk është ideal.