Trajneri i Izraelit vlerëson Shqipërinë para miqësores: Skuadër cilësore dhe ndeshje e vështirë
Kombëtarja e Izraelit ka mbyllur përgatitjet për miqësoren ndaj Shqipërisë, që do të zhvillohet të mërkurën në orën 20:00 në “Air Albania” në Tiranë.
Në mungesë të trajnerit kryesor Ran Ben Shimon, skuadra është drejtuar nga ndihmës-trajneri Gal Cohen.
Në konferencën për shtyp, Cohen theksoi se situata aktuale e të dy skuadrave është e pazakontë, por shprehu besim se ekipi i tij do të japë maksimumin në fushë.
“Shqipëria është një skuadër e mirë dhe presim një ndeshje të vështirë. Edhe ne kemi mungesa në pankinë, por shpresojmë ta bëjmë trajnerin krenar dhe të marrim një rezultat pozitiv,” u shpreh Cohen.
Edhe kapiteni i Izraelit, Eli Dasa, vlerësoi cilësinë e Kombëtares shqiptare, duke theksuar se ndeshja nuk mund të konsiderohet thjesht miqësore për shkak të nivelit të kundërshtarit.
“Kur luan me Shqipërinë nuk është kurrë një ndeshje e lehtë. Kam shumë lojtarë shqiptarë që i njoh dhe me të cilët kam luajtur më parë. Do të jetë një sfidë e fortë dhe e vështirë,” tha Dasa.
Mbrojtësi izraelit përmendi gjithashtu disa nga emrat e njohur të Shqipërisë, duke shtuar se cilësia individuale e lojtarëve kuqezi e rrit nivelin e përballjes.
Sfida në Tiranë pritet të shërbejë si test i rëndësishëm për të dyja kombëtaret për angazhimet e ardhshme ndërkombëtare.

