Trajneri i kampionëve ka një pyetje publike për Kurtin: Kur do të na bëhet palestra?
Trajneri i Klubit Henbollistik Istogu, Faruk Shala, i ka bërë një pyetje publike Kryeministrit në Detyrë të Kosovës, Albin Kurtit.
Kryeministri Kurti sot qëndroi në Istog, ku pati taubim për zgjedhjet e 7 qershorit, por meqë Shala nuk ishte prezent, i është drejtuar atij me pyetjen se kur do të përfundoj projekti i Palestrës Sportive në Istog, i cili po zgjat tash e 20 vite, shkruan IndeksOnline.
Reagimi i plotë nga Faruk Shala:
I nderuar Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti,
Më vjen keq që sot në Istog nuk pata mundësi t’ju takoj dhe t’ju prezantoj këtë projekt, i cili zgjat tash e 20 vite dhe ende nuk ka përfunduar.
Pashë që janë diskutuar projekte të ndryshme, por dua t’ju informoj se momentalisht në Komunën e Istogut nuk ka asnjë projekt më të rëndësishëm dhe me më shumë prioritet sesa Palestra e Sporteve në Istog.
Si profesionist i sportit, që gjithë jetën ia kam kushtuar hendbollit, ky reagim imi nuk ka të bëjë me fushatë zgjedhore apo garë politike, si një proces normal zgjedhor, por ka të bëjë krejtësisht me interesin e rinisë, sportit, qytetit të Istogut dhe Republikës së Kosovës.
Këtë kërkesë dhe këtë prioritet e kam të sinqertë, si për juve, ashtu edhe për Kryetarin e Komunës së Istogut, z. Ilir F. Ferati.
Me respekt,
Faruk Shala Trajner i KHF Istogu
Trajner i Kombëtares së të Rejave të Kosovës
/IndeksOnline/

