Trajneri i TNS-së i vetmuar në konferencën për shtyp para ndeshjes me Niklin
Skuadra e The New Saints ka arritur gjatë ditës së hënë në Kosovë, ku do ta zhvillojë ndeshjen e kthimit në kuadër të rrethit të parë eliminator të Ligës së Kampionëve kundër Feronikelit.
Feronikeli do ta shkruajë historinë në futbollin kosovar nëse ia arrin qëllimit ta tejkalojë sfidën The New Saints, i njohur si TNS, dhe të kalojë në rundin e dytë kualifikues në përpjekje për ta siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve, duke u bërë klubi i parë kosovar që arrin kaq larg.
Ekipi i Scott Ruscoe mbrëmë zbriti në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, derisa trajneri u paraqit para gazetarëve në një konferencë për shtyp.

Në konferencën për shtyp, në të cilën ishte i pranishëm vetëm një gazetar, trajneri Ruscoe foli rreth ndeshjes së sotme:
“Në ndeshjen e parë morëm një rezultat zhgënjyes, por tani me pak fat do të mundohemi t’i vëmë gjërat në vendin e duhur në ndeshjen e nesërme”, tha fillimisht Ruscoe.

“Nëse luajmë sikurse në pjesën e parë, do të jetë e mirë, në të kundërtën do të jetë e vështirë”, vlerësoi trajneri i TNS.
“Gjendja e fushës është shumë e mirë. Stadiumi është shumë i këndshëm, dhe mezi pres për ndeshjen dhe shpresoj që të fitojmë”, pohoi ai.
“Kemi shumë opsione në formacion dhe do të mundohemi t’i zgjedhim sa më mirë problemet”, shtoi Ruscoe.
Ndryshe, ndeshja e sotme zhvillohet me fillim nga ora 20:45. /IndeksOnline/