75 Mall Live Search
22:50 / E Mërkurë, 14 Janar 2026 / S Z

Trajtimi medikamentoz i menopauzës mund të ngadalësojë rritjen e kancerit të gjirit

Kanceri i gjirit është forma më e shpeshtë e kancerit tek gratë pothuajse në të gjitha vendet e botës. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), mbi 99% e rasteve diagnostikohen tek gratë dhe më pak se 1% tek burrat, ndërsa çdo vit rreth 2.3 milionë gra preken nga kjo sëmundje. Rreth 75% e kancereve të gjirit janë pozitivë ndaj receptorëve të estrogjenit (ER-pozitivë), që do të thotë se rritja e tumorit stimulohet nga estrogjeni.

Trajtimi standard për këtë lloj kanceri përfshin medikamente anti-estrogjen, si letrozoli, të cilat ulin prodhimin e estrogjenit në trup dhe ndihmojnë në parandalimin e rikthimit të sëmundjes, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.

Megjithatë, këto barna shpesh shkaktojnë efekte anësore të ngjashme me simptomat e menopauzës, si afshet të nxehta, dhimbje të kyçeve dhe muskujve, humbje të densitetit kockor dhe rritje të kolesterolit.

Studimi “PIONEER”, i udhëhequr nga studiues në Kembrixh dhe i publikuar në revistën “Nature Cancer”, ka zbuluar se progesteronët artificialë, si megestrol acetati, të përdorur zakonisht për të lehtësuar këto efekte anësore, kanë edhe një përfitim shtesë: ata ngadalësojnë rritjen e tumorit të gjirit ER-pozitiv. Edhe në doza të ulëta, kombinimi i megestrolit me letrozolin uli përhapjen qelizore të tumorit.

Në provë morën pjesë 244 gra me kancer gjiri në fazë të hershme nga 10 spitale në Mbretërinë e Bashkuar, të ndara në tre grupe trajtimi.

Rezultatet sugjerojnë se ky kombinim mund të përmirësojë përputhshmërinë me terapinë dhe njëkohësisht të ndikojë pozitivisht në kontrollin e tumorit, megjithëse nevojiten studime të mëtejshme për konfirmim.