15:57 / E Mërkurë, 01 Maj 2019 / indeksADMonline

Transplantimi i kundërligjshëm i qelizave njerëzore, a po hetohen edhe klinikat tjera

Punonjësit e klinikës “Behar Kusari’ V.K, A.K, I.ZH dhe S.M iu para disa javësh i  është caktuar masa e arrestit shtëpiak për një muaj nga Gjykata Themelore në Prishtinë me dyshimin se transplantuan kundërligjshëm qeliza njerëzore.

Transplantimi i kundërligjshëm dhe trafikimi i organeve dhe qelizave me qellim të përfitimit, të dobisë pasurore, pa autorizim dhe pa arsye mjekësore është në kundërshtim me ligjin për Transplantim të Indeve dhe Qelizave Njerëzore, Ligjin për Shëndetin riprodhues dhe Ligjin për Shëndetësi.

Duke iu referuar aktit ligjor, të pandehurit dyshohet se në këtë klinike kanë bërë transplantim të kundërligjshëm dhe trafikim të organeve.

Sipas prokurorisë, dyshohet se të njëjtit kanë bërë shitblerjen e organeve dhe qelizave vezore si dhe përcaktimin e gjinisë, ashtu që të dëmtuarave të gjinisë femërore, të cilat i ftojnë në këtë klinikë ju premtojnë që nëse dhurojnë qeliza vezore do të përfitojnë shumë të caktuar të parave.

Ndërsa, qelizat e të njëjtave iu shitën në vlera shumë të mëdha personave të tjerë në nevojë, tek të cilët bëhet transferimi i embrionit.

Mirëpo, a ka raste tjera që po hetohen lidhur me transplantimin e qelizave njerëzore.

Në një përgjigje të Prokurorisë Themelore në Prishtinë për  Indeksonline bëjnë me dije se nuk ka rast tjetër lidhur me këtë vepër.

“Ju njoftojmë se pas verifikimit në data bazën e të dhënave të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, rezulton se nuk figuron ndonjë rast  lidhur me veprën penale “Transplantimi i kundërligjshëm dhe trafikimi i organeve dhe qelizave njerëzore” nga neni 265 të KPRK-së, përpos rastit i cili u bë i ditur përmes komunikatës  për media nga Prokuroria Themelore në Prishtinë e dt. 04.04.2019, e cila ka të bëjë me veprën penale nga neni 265 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Se sa ka inspektim të këtyre institucioneve shëndetësore, tregojnë nga Inspektorati i Ministrisë së Shëndetësisë.

Në një përgjigje për redaksinë, ata kanë thënë se bëjnë inspektime sistematike dhe sipas nevojes inspektime specifike ku ka indikacione apo dyshime për shkelje të ligjit në fuqi.

Të pyetur nëse kanë informacione se sa klinika janë hetuar në lidhje me transplantim të kundërligjshëm të qelizave dhe organeve, ata janë përgjigjur kështu.

“Inspektorati Shëndetësor kryen inspektime të rregullta dhe tematike në të gjitha institucionet shëndetësore. Kur gjen shkelje ato i trajton sipas legjislacionit në fuqi se bashku me organet e tjera, varësisht se për çfarë shkelje behët fjalë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndërsa, për shitjen e qelizave njerëzore, zyrtar të inspektoratit kanë thënë se dhurimi është i lejuar siç është e përcaktuar me udhëzim administrative, por që gjithmonë duke u ruajtur konfidencialitetin e  të dhënave.

“Shitja e qelizave gjinore nuk është e lejuar. Dhurimi po, por në kushte të caktuara siç e ka përcaktuar Udhëzimi Administrativ për Fertilizim të Asistuar , duke mbajtur evidenca të sakta e ruajtur konfidencialitetin e të dhënave sipas ligjeve në fuqi, meqë të dhënat shëndetësorë të kësaj  natyre janë të dhëna të klasifikuara”, kanë thënë ata.

Të pyetur nëse ka raste kur merren qeliza njerëzore edhe të meshkujve, zyrtarë të IMSH-së kanë thënë se me udhëzimin administrative për fertilizim të asistuar përcaktohen cilat shërbime mund të kryhen.

“Është udhëzimi administrativ për Fertilizim të Asistuar Mjekësor që përcakton se cfarë shërbimesh lejohen të kryhen në institucionet shëndetësore të licencuara për trajtimin e infertilitetit dhe ku lejohet të kryhet Fertilizimi i Asistuar Mjekësor dhe si merren e ruhen qelizat gjinore”, thuhet ndër të tjerash në përgjigje.

Sipas Gjykatës, masa e arrestit shtëpiak është masë e mjaftueshme dhe adekuate për sigurimin  prezencës së të pandehurve pranë organeve të Prokurorisë dhe Gjykatës në këtë fazë të procedurës penale.

Po ashtu, Gjykata ka konstatuar se në rastin konkret plotësohen kushtet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak duke u bazuar në mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, pesha e rëndë e veprës penale tregojnë rrezikun se mund të vie deri te përsëritja e veprës penale dhe nëse të pandehurit ndodhen në liri të plotë paraqesin rrezik potencial se mund të ndikojnë në rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë dhe në dëmtimin, zhdukjen dhe asgjësimin e provave konkrete. /Indeksonline/